Botë

Bisedimet për armëpushim në Gaza afrohen, në terren sulmet vazhdojnë, dhjetra të vrarë

05.10.2025 18:18

Pavarësisht zhvillimeve diplomatike dhe përgatitjeve për bisedime në Egjipt rreth Planit të Paqes, ushtria izraelite ka vazhduar sulmet në Gaza...

Pavarësisht zhvillimeve diplomatike dhe përgatitjeve për bisedime në Egjipt rreth Planit të Paqes të propozuar nga presidenti Tramp, ushtria izraelite ka vazhduar sulmet në Gaza, me intensitet të lartë duke vrarë dhjetra civil. Këto sulme kanë thelluar mosbesimin e palestinezëve, të cilët ndjehen të lodhur nga lufta dy vjeçare.
 
“Ajo që ne shpresojmë me të vërtetë është që plani i armëpushimit të rikthehet që të kthehemi në një jetë normale pas dy viteve lufte. Fatkeqësisht, sot pamë përsëri shumë viktima.”, u shpreh një banor i Gazës.
 
“Na premtuan armëpushim, lutemi tek Zoti që të jetojmë përsëri me dinjitet, pa gjakderdhje, pa viktima, vetëm paqe, por paqja nuk shihet askund.”, u shpreh një banor i Gazës.
 
Trump deklaroi se armëpushimi mund të hyjë në fuqi kur Hamas të pranojë linjën e tërheqjes për ushtrinë izraelite në territorin bregdetar.
 
“Izraeli tashmë e ka miratuar linjën fillestare. Kur Hamas ta konfirmojë, armëpushimi do të hyjë menjëherë në fuqi, do të fillojë shkëmbimi i të burgosurve dhe do të krijojmë kushtet për fazën tjetër të tërheqjes.”, u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
 
Netanyahu tha se ushtria do të ripozicionohet, por do të vazhdojë të kontrollojë zonat me rëndësi strategjike në Gaza.
 
“I kam kërkuar ekipit tonë negociator të shkojë në Egjipt për të finalizuar detajet teknike për lirimin e të burgosurve tanë. Hamas do të çarmatoset, dhe Gaza do të demilitarizohet. Kjo do të ndodhë ose në mënyrë diplomatike sipas planit të Trump, ose përmes një veprimi ushtarak.”, tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
 
Demonstrues u mblodhën në rrugët e Tel Avivit. Ata kërkojnë një marrëveshje përfundimtare për të burgosurit nga Gaza dhe një armëpushim.
 
“Tash jemi midis shpresës dhe frikës. Nuk mund të lejojmë që edhe një marrëveshje të dështojë. Jo përsëri. President Trump, ne jemi me ju. Mos ndaloni. Ose tani, ose kurrë.”, u shpreh Liran Berman, familjar i pengjeve.
 
“Qëndroj këtu me frikë dhe lutem. Përgjegjësia e udhëheqjes është të përfundojë luftën dhe të sjellë vëllanë tim shtëpi. Të rregullojë dhe të rehabilitojë shoqërinë.”, tha Ayelet Goldin, motra e të rrëmbyerit Hadar Goldin.
 
Hamasi ka pranuar negociatat, pikën për armëpushim, lirimin e pengjeve dhe ndihmat humanitare, por ka refuzuar qartësisht kërkesën për çarmatim dhe demilitarizim të Gazës. Organizata gjithashtu nuk ka dhënë garanci për njohjen e kontrollit izraelit mbi zonat strategjike.
 
FARIJE DAUTI BAKIU