Botë
Siria voton, mbahen zgjedhjet e para pas rrëzimit të Assadit
05.10.2025 18:41
Në Siri, po mbahen zgjedhjet e para parlamentare që nga rrëzimi i Bashar al-Assadit...

Në Siri, po mbahen zgjedhjet e para parlamentare që nga rrëzimi i Bashar al-Assadit, ngjarje që shihet si një hap i rëndësishëm në tranzicionin politik të vendit, por që po kritikohet gjerësisht për mungesë të demokracisë dhe përjashtimin e disa rajoneve të vendit.
Në kryeqytetin Damask dhe disa qytete të tjera siriane, qytetarët po votojnë për të përzgjedhur përfaqësuesit e Parlamentit të ri, i cili do të jetë i pari që nga fundi i regjimit të Assadit në dhjetor të vitit 2024, raporton AFP. Presidenti i përkohshëm, Ahmad al-Chareh, që udhëhoqi koalicionin islamist që mori pushtetin, ka emëruar një të tretën e deputetëve të rinj, gjë që ka ngjallur kritika të ashpra nga opozita dhe organizatat e shoqërisë civile.
Parlamenti i ri do të ketë gjithsej 210 vende, nga të cilat 140 do të zgjidhen nga komitetet lokale, ndërsa 70 do të caktohen drejtpërdrejt nga presidenti al-Chareh. Dy provinca të kontrolluara nga forcat kurde dhe rajoni druz i Soueida-s janë përjashtuar nga procesi, duke lënë 32 vende të paplotësuara.
