Zgjedhjet lokale 2025, VLEN vazhdoi fushatën në Tetovë

06.10.2025 14:01

Koalicioni VLEN ka vazhduar fushatën në Komunën e Tearcës...

Koalicioni VLEN ka vazhduar fushatën në Komunën e Tearcës, ku ka prezantuar kandidatin për kryetar komune, Daut Memishi, listën e kandidatëve për këshilltarë dhe programin për Tearcën.

Me këtë rast, kandidati për kryetar, Memishi, theksoi se vitet e fundit fatkeqësisht na është ofruar vetëm mashtrim, padrejtësi dhe përbuzje, të lënë pasdore dhe pothuajse fare të harruar, por Tearca nuk pranon premtime boshe, tha ai.

“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për zgjedhje, këtu bëhet fjalë edhe për zgjidhje, këtu bëhet fjalë për dinjitet, për ta kthyer besimin, për ta kthyer drejtësinë, për ta kthyer shpresën tek brezi që po rritet me ndjenjën se asgjë nuk ndryshon. E sonte, unë po ju them, se gjithçka do të ndryshojë. Ne do ta bëjmë Komunën e Tearcës, komunë të punës, të rritjes dhe të barazisë.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të komunës së Tearcës, Daut Memishi.

Memishi paralajmëroi investime në bujqësi, investime tek të rinjtë, në sport, në çdo familje që kërkon mundësi për të ecur përpara. Të pranishmëve në Tearcë iu drejtua edhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, njëherësh edhe kandidat për kryetar të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Ai me këtë rast theksoi se në këto zgjedhje vetëm koalicioni VLEN garon për zgjedhjet lokale, ndërsa opsioni tjetër gjatë tërë fushatës merret me kontestimin e legjitimitetit të VLEN-it.

“Ata duan votën tuaj për pushtetin lokal duke tentuar për të ardhur në pushtetin qendror. Pra, vetvetiu ata tregojnë nën vetëdijen e tyre se nuk kanë dalë në zgjedhje për të ofruar kandidatët më të mirë, për të ofruar programin më të mirë, sepse halli i tyre edhe më tutje nuk është Tearca, halli i tyre është si të kthehen përsëri në Shkup në foteljet e ngrohta të pushtetit.”, - theksoi Bilall Kasami nga VLEN.

Sipas Kasamit, në këto zgjedhje lokale ka vetëm një opsion, koalicioni VLEN, sepse AKI-së në këto zgjedhje i intereson vota, që më pas të kërkojë zgjedhje të parakohshme dhe të vijnë në pushtetin qendror.

Sipas Kasamit, zgjedhjet parlamentare kanë kaluar, VLEN-i ka marr mandatin e popullit, i fitoi zgjedhjet me votat e shqiptarëve, pasi VLEN-i kërkoi votat e shqiptarëve për t’i përfaqësuar shqiptarët. 

Kjo nuk ka të bëjë asgjë kundër turqve, romëve, boshnjakëve dhe komuniteteve tjera, por për shkak se Maqedonia pas luftës së vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit është një shtet konsensual, mes dy komuniteteve më të mëdha, maqedonasve dhe shqiptarëve, prandaj sipas Kasamit, për t’i përfaqësuar shqiptarët duhet të garohet me një koalicion që kërkon votën dhe mandatin e shqiptarëve, ndërsa BDI kishte garuar me koalicion multietnik.

Në këtë tubim ishin të pranishëm edhe liderët tjerë të këtij koalicioni, Zeqirja Ibrahimi dhe Arben Fetahu, të cilët po ashtu kërkuan votën për kandidatët e VLEN-it për komunën e Tearcës. (Fitore Demolli, TVM2)