Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, VMRO-DPMNE mbajti tubim në Strumicë
06.10.2025 14:14
Karvani zgjedhor i udhëhequr nga VMRO-DPMNE prezantoi kandidatin për kryetar të Komunës së Strumicës, Petar Jankov...

Karvani zgjedhor i udhëhequr nga VMRO-DPMNE prezantoi kandidatin për kryetar të Komunës së Strumicës, Petar Jankov, dhe listën e kandidatëve të tyre komunalë për këtë qytet. Jankov ua prezantoi planprogramin e tij katërvjeçar, përmes së cilës planifikon ta zhvillojë Strumicën në qytet modern. Fokus të veçantë ka vendosur në modernizimin e infrastrukturës rrugore, shëndetësinë, luftën kundër ajrit të ndotur, rregullimin e zonave të gjelbra, digjitalizimin e shërbimeve komunale, sportin dhe kulturën. Jankov u premtoi banorëve se më 19 tetor Strumica do të përjetojë ndryshim politik për të mirë, ku komuna do të punojë në interes të banorëve të Strumicës.
“Ne kemi një plan konkret për të ardhmen e qytetit. Programi ynë mbulon pothuajse të gjitha fushat e jetës shoqërore, nga infrastruktura, arsimi, mjedisi, efikasiteti energjetik, sporti, turizmi, kujdesi social dhe shëndetësor. Do të investojmë në infrastrukturë moderne, në rrugë dhe hapësira publike të reja, do të kujdesemi për luftën kundër ajrit të ndotur dhe të zgjidhim problemin me ujin e pijshëm.”, - deklaroi kandidati për kryetar të Strumicës nga VMRO-DPMNE, Petar Jankov.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për Jankovin, tha se këto zgjedhje nuk janë vetëm zgjedhje të zakonshme lokale, e sidomos kur bëhet fjalë për qytetin e Strumicës, pasi që nga ky qytet tha ai janë bërë të gjitha vendimet e gabuara nga ish-qeveria e LSDM-së. Andaj Mickoski ftoi qytetarët që pa asnjë mëdyshje më 19 tetor, të rrethojnë numrin 9 të VMRO-DPMNE-së për t’i dhënë fund politikave të dëmshme për vendin dhe qytetarët.
“Ndryshimet këtu tani janë proces natyral, si pasojë dhe reflektim, është përgjigja e popullit nga ajo që ka parë dhe përjetuar prej vitesh. Prej Strumicës me vite me radhë janë udhëhequr dhe zhvilluar proceset më të mëdha që po shkatërronin Maqedoninë, pjesë pas pjese. Prej këtu fillonin kombinatorikat politike, që e lënë vendin të robëruar, ndërsa qytetarët të zhgënjyer. Mirëpo erdhi koha kur ata do të bien, ndërsa populli do të fitojë.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Karvani zgjedhor i VMRO-DPMNE-së nën moton "Zgjedhja e duhur! Njeriu juaj! Vendi juaj!” në krye me Mickoskin, mbrëmë vazhdoi edhe në komunën e Novo Sellës, Vasillevës, Bosillevës dhe Radovishit, ku zhvilluan takime me qytetarët dhe mbajtën tubime. Nga këto vende, ai tha se LSDM zhvillon fushat negative, se Filipçe është vazhdimësi e politikave të Zoran Zaevit, të cilat e varfëruan popullin, ndërsa gjysmë milion qytetarë i lanë me 150 denarë në ditë.
REXHEP QAMILI
