Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, AKI aktivitete parazgjedhore në disa komuna

06.10.2025 15:42

Në kuadër të aktiviteteve parazgjedhore, AKI ka vazhduar fushatën në komunën e Tetovës...

Në kuadër të aktiviteteve parazgjedhore, AKI ka vazhduar fushatën në komunën e Tetovës, përkatësisht në Xhepçisht dhe vendbanimet përreth, ku kandidati për kryetar të kësaj komune, Bajram Rexhepi, ka shpalosur ofertën e tij. Ai para banorëve të Xhepçishtit tha se në këto zgjedhje qytetarët duhet të vendosin midis gënjeshtrës dhe një programi konkret.
 
“Shumicës prej jush ju kujtohet se u premtua një nënkalim shumë i madh mu në qendër të Tetovës dhe sot jemi dëshmitarë se nuk u realizua. Ju kujtohet se u premtuan shumë garazhe me kate në Tetovë, as edhe një të vetme nuk e realizuan. Ju kujtohet se premtuan që parkingjet do të jenë pa pagesë, përkundrazi kemi një rritje të çmimit, bile edhe shumë vendparkingje që ishin falas u bënë me pagesë.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi.
 
Rexhepi njëherësh theksoi se u premtua edhe ndërtimi i stadiumit të qytetit, por sot ka dy tribuna më pak. Kishin premtuar edhe ujësjellës dhe kanalizim në Xhepçisht dhe gjithandej nëpër Tetovë, por nuk e realizuan asnjë, tha Rexhepi. Të pranishmëve iu drejtua edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ishte kritik nga koalicioni VLEN dhe qeverisë aktuale. 
 
“Të është rrezikuar seriozisht Marrëveshja e Ohrit. Ligji i gjuhës shqipe 72 faqe është përgatitja e materialit për ndryshim. Gjuhën shqipe ta bëjnë leckë. Ta kanë hequr përfaqësimin e drejtë balancuesin, sa kohë ka që do e bëjmë, por se bëjnë.”, -  theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. 
 
I pranishëm në Xhepçisht ishte edhe kreu i ASh-së, Arben Taravari, i cili kërkoi votën e banorëve të Xhepçishtit dhe Tetovës për kandidatët e AKI-së. Ndërkohë kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka prezantuar projektet sportive duke theksuar se prioritet do të jetë revitalizimi i plotë i infrastrukturës sportive dhe krijimi i zonave sportive të qasshme për të gjithë qytetarët. Osmani thotë se fillimisht do të nisë me rikonstruksionin e sallave dhe terreneve ekzistuese sportive, si Salla Sportive “Enver Idrizi” në Serovë, Salla Sportive “Vasil Gllavinov”, “Liria”, “Shaban Tërstena” dhe “Partizani”. 
 
Po ashtu ai premtoi ndërtimin e terreneve të hapura sportive me ndriçim në disa shkolla fillore, si fushë futbolli e hapur në “Tefejuz’, hapësirë rekreative për basketboll në “Hasan Prishtinë”, hapësirë e kombinuar për volejboll dhe basketboll në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Fushë Topanë, si dhe instalimin e pajisjeve të reja sportive në lagjet urbane të Fushë Topanë dhe në Parkun e Çairit. Në kuadër të vizionit për infrastrukturë sportive moderne, Osmani paralajmëroi ndërtimin e një salle të re sportive pranë Shkollës Fillore “Jashar Beu” në Dyqanxhik. AKI ka kërkaur votën edhe për kandidatët e saj në komunën e Bërvenicës, ku për kryetar garon Enver Pajaziti dhe për Besnik Emshiun, kandidat për kryetar komune në komunën e Bogovinës. 
 
GYLTENE SINANI