Botë

Lindja e Mesme, Izraeli dhe Hamasi në bisedime paqeje në Egjipt

06.10.2025 17:51

Në prag është një armëpushim në Gazë...

Në prag është një armëpushim në Gazë. Përfaqësues të Izraelit dhe Hamasit në Egjipt përpiqen të arrijnë një marrëveshje për planin e paqes të propozuar nga Trampi. Fokusi  i bisedimeve përmes ndërmjetësve do të jetë arritja e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve të mbetura që mbahen nga militantët në Gazë, në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael. Presidenti amerikan deklaroi se këtë javë pret rezultate nga bisedimet në Egjipt. Ai paralajmëroi se Hamasi do të përballet me shkatërrim të plotë nëse e refuzon planin e tij dhe nuk dorëzon pushtetin dhe kontrollin mbi Gazën.
 
“Koha është thelbësore, përndryshe do të ketë gjakderdhje masive, diçka që askush nuk dëshiron ta shohë., - deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp. 
 
Uashingtoni kërkoi që Izraeli të ndalojë menjëherë sulmet ajrore sapo të arrihet një marrëveshje për lirimin e pengjeve izraelite që mbahen nga Hamasi në Gazë.
 
“Duam që pengjet të lirohen sa më shpejt të jetë e mundur. Që kjo të ndodhë, nuk mund të ketë luftë në vazhdim dhe Hamasi duhet të pranojë t’i dorëzojë ata. Lirimi i pengjeve nuk do të sjellë paqe, nëse një grup terrorist mbetet aktiv në Gazë. Nuk do të ketë kurrë paqe në Gazë për sa kohë që ka terroristë që veprojnë nga ky territor dhe kërcënojnë sigurinë e Izraelit.”, - theksoi sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio. 
 
Izraeli dhe ShBA-ja janë të vendosur që negociatat indirekte me Hamasin të zgjasin vetëm disa ditë, tha Netanjahu.
 
“Shpresoj që lirimi i pengjeve të ndodhë këtë javë, por nuk mund të garantoj që kjo do të ndodhë. Nëse nuk ndodh, do të realizohet ajo që tha presidenti Tramp – se ai do ta mbështesë plotësisht Izraelin në një veprim të fuqishëm kundër Hamasit.”, - u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. 
 
Hamasi më herët ka njoftuar se pranon disa pjesë të planit të Trampit. Megjithatë, disa çështje kyçe në planin gjithëpërfshirës të paqes mbeten të pazgjidhura – çarmatosja e Hamasit dhe tërheqja e trupave izraelite.
 
BELINDA KOKA ADEMI