Maqedoni
Gostivar-objekti i Myftinisë, Bejta dorëzon aktvendimin për legalizim
22.05.2015 16:22
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, vizitoi Myftininë e Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar dhe myftiun, Shaqir Fetahun...

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, vizitoi Myftininë e Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar dhe myftiun, Shaqir Fetahun, për të dorëzuar aktvendimin për legalizim të objektit të Myftinisë së BFI-së, të miratuar në seancën e 19-të nga shumica e këshilltarëve komunalë.
“Sot ne ia dorëzuam dokumentin e legalizimit të ndërtesës së myftinisë, e cila njëkohësisht shërben edhe si medrese për gjininë femërore të besimit Islam. Për këtë vendim kanë votuar të gjithë këshilltarët të të gjitha besimeve, votuan këshilltarët shqiptarë, turq, rom dhe maqedonas, por nuk votuan vetëm disa këshilltarë të cilët nuk votojnë për asnjë vendim që propozohet në Këshillin e Komunës së Gostivarit dhe ne nuk e kemi të qartë se pse ata këshilltarë shqiptarë myslimanë nuk votuan. Ne nuk kemi legalizuar pronë private, por kemi legalizuar një ndërtesë të Myftinisë së BFI-së, e cila do të ngelë trashëgimi”- deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
“Kryetari, Nevzat Bejta, e dorëzoi vendimin e Këshillit Komunal për lirimin e Myftinisë së BFI-së prej një shume prej 30 mijë euro për lirim nga pagesa e komunaleve për legalizimin e ndërtesës administrative dhe të medresesë në Gostivar. Një vlerë shumë specifike është se këtë e votuan të gjithë këshilltarët komunalë, pa marrë parasysh se kujt konfesioni i takojnë, d.m.th. kanë votuar edhe këshilltarët e konfesionit krishterë, një vlerë e veçantë në territorin e Komunës së Gostivarit”- tha myftiu i Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar, Shaqir Fetahu.
Legalizimi i objektit të Myftinisë së Gostivarit u vlerësuar si një akt madhështor, pasi prej sot objekti do të ketë tapi dhe dokumentacion të rregullt. Ky objekt është mjaft i rëndësishëm për myslimanët në rajonin e Gostivarit.
