Shqipëri, vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, komisionet nderojnë me një minutë heshtje

07.10.2025 13:05

Mbledhjet e komisioneve parlamentare...

Mbledhjet e komisioneve parlamentare kanë nisur sot me një minutë heshtje, në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja që u vra ditën e djeshme brenda në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit në Tiranë.

“Akt i rëndë kriminal dhe akt barbar dhe meriton ndëshkimin shembullor të autorëve. Vrasja e një gjyqtari në krye të detyrës në një ambient ku presupozohet që është vendimi më i sigurt për të ushtruar detyrën, kambanë alarmi për sigurinë e punonjësve të drejtësisë. Shumë nga ne e kemi njohur gjyqtarin ndaj do t’u ftoja të mbanim një minutë heshtje në nderim të tij.”, tha Ulsi Manja.

“Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Një gjyqtar është vrarë në krye të detyrës. Para se të fillojmë punimet e Kuvendit, do duhet të mbajmë një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e tij që u vra vetëm sepse ka zbatuar ligjin në një çështje gjyqësore.”, tha Bardhi.