Maqedoni

Protesta e 5 majit–vendimi gjyqësor, 7 protestues 3 muaj me kusht, 10 muaj burg për të 8-tin

22.05.2015 16:26

Një dënim me burg prej 10 muajsh dhe 8 dënime me kusht prej 3 muajsh shqiptoi Gjykata Themelore Shkupi 1 për protestat e dhunshme që u mbajtën para qeverisë më 5 maj...

I dënuari me burg është daja i Martin Neshkovskit, Goran Mitanovski, ndërsa të tjerëve, në mesin e të cilëve edhe 5 studentë, iu është dhënë kusht që të mos e përsërisin veprën e njëjtë gjatë vitit të ardhshëm. 
 
Pala mbrojtëse tha se të gjithë të akuzuarit e kanë pranuar fajin me qëllim që të mos zvarritet procedura gjyqësore, sepse ata në të vërtetë nuk janë aspak fajtorë.
 
“Ju e dini se vendi i të rinjve nuk është këtu, mirëpo për të shkurtuar procedurën gjyqësore ndonjëherë po pranohen disa gjëra që nuk duhet të pranohen, ose pranohen gjëra që duhet në fakt të tregohen dhe dëshmohen në një procedurë tjetër gjyqësore”- deklaroi avokati mbrojtës, Miroslav Bujiq.
 
“Ne jemi të kënaqur nga përgjegjësia, sjellja, qasja dhe shpejtësia e Gjykatës Themelore që e procesoi këtë procedurë gjyqësore. Për mua është shumë sukses që në këtë vendim janë shqiptuar dënimet më të ulëta për të akuzuarit”- tha avokati mbrojtës, Ivan Popovski.
 
Protestat e 5 majit u realizuan para godinës së qeverisë si pasojë e publikimit të “bombës” së LSDM-së, që kishte të bëjë me vrasjen e Martin Neshkovskit. 
 
REXHEP QAMILI