Banka Botërore: Rritja e BPV-së në RMV pritet të arrijë 3.1% në vitin 2025
Rritja reale e Bruto Produktit Vendor...

Rritja reale e Bruto Produktit Vendor pritet të arrijë 3.1 për qind në vitin 2025, 3 për qind në vitin 2026 dhe 3 për qind në vitin 2027, sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut.
Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të përshpejtohet me ritme të moderuara në vitin 2026 dhe të rimëkëmbet më fuqishëm në vitin 2027, e mbështetur kryesisht nga rritja e eksporteve dhe investimeve, ndërsa pasiguritë në ekonominë globale pritet të zbuten.
Raporti vë në dukje një paradoks në tregun e punës, mungesa e fuqisë punëtore në disa sektorë shoqërohet me nivel të lartë papunësie mbi 10% dhe pjesëmarrje të ulët në tregun e punës, që mbetet nën 55 për qind, veçanërisht tek gratë, të rinjtë dhe të moshuarit. Tendencat demografike po e përkeqësojnë më tej situatën.
Popullsia në moshë pune ka rënë ndjeshëm dhe parashikohet të tkurret me gati 20 për qind deri në vitin 2050.
“Pavarësisht rritjes modeste në nivel rajonal, Maqedonia e Veriut tregon një moment të mirë me një rritje të parashikuar prej 0.3% për vitin 2025, të udhëhequr nga investimet publike dhe eksportet. Raporti gjithashtu tregon mbi zhvillimet pozitive në tregun e punës, megjithëse thekson nevojën për më shumë përpjekje për të përfshirë gratë dhe të rinjtë në tregun e punës me qëllim shfrytëzimin e potencialit të tyre. Ai thekson se për të ruajtur një rritje pozitive, është i nevojshëm menaxhimi i kujdesshëm i financave publike, si dhe reformat strukturore në sektorët kryesorë, siç janë energjia, zhvillimi njerëzor dhe transformimi digjital.”, - deklaroi drejtorja e Bankës Botërore për RMV-në dhe Kosovën, Karol Mejavan.
Për të avancuar drejt përafrimit me Bashkimin Evropian, raporti thekson se rajoni duhet të fokusohet në krijimin e vendeve më cilësore të punës. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
