Maqedoni

Kontesti maqedono – bullgar, VMRO dyshon se përgjimet i janë dhënë Bullgarisë

07.10.2025 14:45

VMRO-DPMNE shfaq dyshime se materiale të përgjuara nga dora e ish-kryetarit të LSDM-së iu janë dorëzuar një ish-kryeministri të Bullgarisë....

VMRO-DPMNE shfaq dyshime se materiale të përgjuara nga dora e ish-kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, iu janë dorëzuar një ish-kryeministri të Bullgarisë. Partia e Mickoskit, materialet përdoren në dëm të Maqedonisë së Veriut. VMRO  kërkon përgjigje për vërtetësinë e USB-së me materiale sekrete.
 
“Venko Filipçe të përgjigjet se çfarë përmbante USB-ja me materiale të përgjuara që mentori i tij Zaev ia dha ish-kryeministrit të Bullgarisë, i cili tani po abuzon me pozicionin e tij në BE dhe na bllokon. Filipçe të thotë nëse dhe pse Zaevi ofroi një skemë për blerjen e dy kompanive të mëdha në Maqedoni nga kompani bullgare të afërta me ish-kryeministrin bullgar? Dhe a është një nga ato kompani një televizion i madh, përmes të cilit do të kryhej propaganda bullgare në Maqedoni?”, - deklaroi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: VMRO me gënjeshtra fsheh kapitalin bullgar
 
Nga LSDM janë kundërpërgjigjur se Petrushevski, sipas tyre, me përrallat e stisura po tenton që të mbulojë kapitalin bullgar të VMRO-DPMNE-së.
 
“E vërteta është se gjysma e udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së drejtojnë kompani në Bullgari dhe sipas raportimeve të mediave, kjo është mënyra se si e financojnë partinë. Kjo është arsyeja pse Brane Petrushevski dhe Mickoski shpresojnë se me historitë e tyre të sajuara do të mbulojnë turpin dhe hipokrizinë e partisë së tyre.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
 
Sipas LSDM-së, fokusi duhet të vihet në problemet reale të qytetarëve, reformat dhe standardi më i mirë jetësor.
 
MERAL ISMAILI