Tiranë, vrasja e gjyqtarit, reagimet
Për herë të parë në historinë e Shqipërisë...

Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një gjyqtar u vra në sallën e gjyqit, sapo kishte dhënë një vendim. Policia arrestoi Elvis Shkambin si ekzekutor të gjyqtarit Astrit Kalaja dhe xhaxhanë e tij, Gjon Shkambi, si bashkëpunëtor.
Në pranga ra edhe roja i gjykatës, i cili nuk lëvizi nga vendi edhe pse skaneri në hyrje të gjykatës kishte dhënë alarm në momentin kur autori po hynte i armatosur.
Autorët ishin palë në një proces për pronat, me histori 30-vjeçare.
Në Gjykatën e Apelit në Tiranë ku ndodhi ngjarja, flamuri është ulur gjysmështizë dhe në tavolinën e gjyqtarit u vendosën lule. Edhe gjykatat e tjera në gjithë Shqipërinë pezulluan gjyqin në shenjë nderimi për gjyqtarin.
Familja zhvilloi homazhe private, ku morën pjesë edhe miq e kolegë të gjyqtarit Astrit Kalaja.
Nesër do të ketë nderime shtetërore te Pallati i Kongreseve, më pas gjyqtari do përcillet në banesën e fundit në Shkodër.
Një ditë më parë reaguon të gjithë liderët shtetërorë dhe të drejtësisë, si dhe përfaqësitë diplomatike, duke e quajtur ngjarjen një kambanë alarmi për sigurinë e gjyqtarëve. (Luljeta Ndoka, TVM2)
