Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, VMRO - DPMNE mbajti tubim në Kërçovë

07.10.2025 15:15

Karvani zgjedhor i udhëhequr nga VMRO-DPMNE mbrëmë prezantoi kandidatin për kryetar të komunës së Kërçovës...

Karvani zgjedhor i udhëhequr nga VMRO-DPMNE mbrëmë prezantoi kandidatin për kryetar të komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, dhe listën e kandidatëve të tyre komunalë. Jovanovski u përbetua se gjatë mandatit të tij katërvjeçar do të përpiqet të shndërrojë Kërçovën në një qytet modern, funksional i cili do të jetë në shërbim të banorëve të saj. U tha banorëve se do të punojë për të modernizuar infrastrukturën rrugore, se do t’i japë fund deponive të egra brenda qytetit, do të zgjidhë problemin me qentë endacakë, do të investojë në arsim, sport, kulturë, ekologji dhe në ndërtimin e rrjetit të kanalizimit.  
 
“Në programin tim mund të shihni projekte përmbajtësore për largimin urgjent të deponive të egra nga zona e qytetit dhe krijimin e stacionit ngarkues për mbeturinat e selektuara dhe ricikluara jashtë zonës së qytetit, e jo këtu, siç është tani 100 metra larg nesh. Kam zgjidhje humane për qentë endacakë, të cilët do t’i strehojmë në lokacion adekuate dhe të përshtatshme. Deri më tani në nivel vjetor komuna e Kërçovës ka paguar 7 milionë denarë për dëmshpërblimin e qytetarëve të sulmuar.”, - deklaroi kandidati për kryetar të Kërçovës nga VMRO-DPMNE, Aleksandar Jovanovski.  
 
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se Jovanovski ka vizion dhe program përmes së cilit do t’i bashkojë të gjithë qytetarët, pavarësisht etnisë së tyre. Mickoski dërgoi mesazh se në këto zgjedhje është më rëndësi të tejkalohen ndarjet etnike, partiake dhe njëherësh bëri thirrje për mobilizim rreth çështjeve specifike dhe solidaritet nga qytetarët për një qytet, i cili në mënyrë të barabartë po e ndjen shpërnguljen e të rinjve, si maqedonasit, shqiptarët dhe etnitë e tjera. Mickoski kërkoi nga qytetarët të rreshtohen njëri pas tjetrit, pasi që të gjithë dëshirojnë të ardhme më të mirë, ndërsa kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, e akuzoi se po pasurohet në kurriz të popullit.
 
“Çfarë i duhet Zajazi Ali Ahmetit, nëse ai është i zbrazët? Nuk ka gëzim as në pallatet e as në oborret, nëse përtej gardhit rrethues populli dhe fqinjët janë të uritur dhe të shpërngulur. E këtë e bëri ai për shqiptarët, i boshatisi vendet e tyre të banimit, fshatrat dhe qytetet i shpërnguli pas 20 vitesh qeverisjeje këtu, po derisa ai dhe afërmit e tij pasuroheshin, populli vuante dhe zhytej në varfëri.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Karvani zgjedhor i VMRO-DPMNE-së në krye me Mickoskin, mbrëmë vazhdoi edhe në komunën e Makedonski Brodit dhe Dollnenit, ku zhvilluan takime me qytetarët dhe mbajtën tubime dhe njëzëri kërkuan nga qytetarët e këtyre vendeve, më 19 tetor të rrethojnë numrin 9 të VMRO-DPMNE-së, që garanton zhvillim më të madh komunal dhe jetë më të mirë për të gjithë.
 
REXHEP QAMILI