Maqedoni
Iniciativa për ndryshimin e vendimmarrjes në BE, Kacarska: E dobishme teknikisht, por vetoja nuk hiqet
07.10.2025 15:32
Iniciativa për ndryshimin e mënyrës së vendimmarrjes në fazat kalimtare të negociatave...

Iniciativa për ndryshimin e mënyrës së vendimmarrjes në fazat kalimtare të negociatave, për të cilën tashmë është shtuar zëri edhe më tepër, mund të jetë një lehtësim, thotë njohësja e çështjes, Simonida Kacarska, por, megjithatë sipas saj, në esencë procedura aktuale me njëzëshmëri nuk ndryshon. Thotë se këto nisma duhet të merren të mirëseardhura, sepse dëshmojnë aktivitetin e institucioneve evropiane për t’u bërë presion vendeve që janë skeptike dhe pengojnë politikën e zgjerimit.
“Përgjigjja e vendeve anëtare është negative, respektivisht, vështirë mund të shoh skenar që do të mund të realizohej, por padyshim krijohet presion ndaj shteteve që bllokojnë zgjerimin, ku para së gjithash mendoj për Hungarinë, vend që ka fokus më të madh për shkak të bllokimit ndaj Ukrainës. Në aspektin teknik, gjithsesi se do të mundësonte përshpejtim të një pjese të rëndësishme të procesit, por megjithatë, ne shohim edhe në rastin e Shqipërisë se proceset teknike mund të lëvizin mjaftueshëm mirë, sepse asnjë shtet nuk e ka bllokuar. Ne duhet ta ndjekim këtë diskutim, të përfshihemi gjithashtu, por mos të krijojmë pritshmëri se ky ndryshim do ta ndryshonte në thelb mënyrën e vendimmarrjes në procesin e zgjerimit ku vetoja gjithsesi mbetet në fund.”, - deklaroi Simonida Kacarska nga Instituti për Politika Evropiane.
Së fundmi, Sllovenia, Gjermania, Italia dhe Austria, me letër i janë drejtuar komisionares për Zgjerim, Von Der Lejen, që kjo iniciativë të shqyrtohet në Komisionin Evropian. Kjo ide është diskutuar edhe në samitin joformal të Bashkimit Evropian në Kopenhagë, që njëherësh mbështetet edhe nga vetë kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, dhe, momentalisht, kjo iniciativë ka gjetur mbështetje tek 16 vende të Unionit. Kjo temë pritet të diskutohet edhe më 15 tetor, kur vendin do ta vizitojë kryetarja e KE-së, Ursula von der Lejen.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
