Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, AKI mbajti tubim në Bogovinë

07.10.2025 15:54

Aleanca Kombëtare për Integrim vazhdoi fushatën në Komunën e Bogovinës...

Aleanca Kombëtare për Integrim vazhdoi fushatën në Komunën e Bogovinës, ku kërkoi edhe një mandat për kryetarin aktual të kësaj komune, Besnik Emshiu, dhe listën e kandidatëve për këshilltarë. Para të pranishmëve kandidati për kryetar Emshiu tha se para katër vitesh e mori besimin e qytetarëve dhe udhëhoqi me përgjegjësi, ndershmëri e përkushtim për çdo fshat, për çdo familje dhe për çdo njeri të kësaj komune.  
 
“Pas katër vitesh punë, mund të them me krenari se Bogovina nuk është ajo e djeshmja. Sot kemi investime në komunë, administratë komunale, investime në ndërmarrjen për pastrim dhe gjelbërim, arsim, çerdhe, qendër për zjarrfikës, si dhe shumë projekte tjera të rëndësishme, që kanë sjellë jetë e shpresë në komunën tonë. Më e rëndësishmja është se kemi kthyer besimin e qytetarëve te institucioni komunë.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Bogovinës, Besnik Emshiu.
 
Të pranishmëve në Bogovinë iu drejtua edhe njëri nga liderët e këtij koalicioni, Arben Taravari, i cili duke kritikuar koalicionin VLEN, ngriti dilemën se pse një kompani serbe ka dhënë donacion për një komunë shqiptare, siç është komuna e Tetovës. Donacioni, sipas Taravarit, është dhënë për ndërtimin e një kishe. 
 
“Dua ta hapi një temë lokale. A keni dëgjuar në këto 35 vite Maqedoni e pavarur që një kompani serbe të donojë në një komunë shqiptare 800 mijë euro. Nëse keni dëgjuar, më tregoni se në cilën komunë. Pse bash e zgjodhën Tetovën? A është e rastësishme?”, - theksoi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
 
Votën për kandidatët e AKI-së në Bogovinë e kërkoi edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ndërkohë kandidati për kryetarë të komunës së Çairit nga AKI ka prezantuar programin për cilësinë e jetës së pensionistëve dhe mbështetjen që ata duhet ta marrin nga komuna. Këta njerëz e kanë ndërtuar komunitetin tonë, komunën tonë dhe shtetin tonë, tha Osmani, sipas të cilit ata meritojnë një pleqëri të denjë dhe mbështetje maksimale. Mbi 7 mijë e 400 pensionistë jetojnë në Çair apo më shumë se 15% e popullsisë madhore, por komuna aktualisht nuk bën asgjë për to, tha Osmani. Ai tha se në programin e tij “Me zemër për të moshuarit” premtoi mbështetje financiare për të moshuarit, ndihmë për pensionistët me të ardhura të ulëta. Gjatë dy viteve të para ai premtoi mbështetje me nga 2.500 denarë për pensionistët me pensione të ulëta, me tendencë që kjo ndihmë të arrijë deri në 5.000 denarë. Po ashtu ai paralajmëroi vendosjen e kartelës vitet e arta me të cilën pensionistët do të përfitojnë ulje të çmimeve në barnatore dhe për blerjen e produkteve të përditshme. Po ashtu Osmani premtoi kujdes shëndetësor dhe social në shtëpi, kontrolle mjekësore falas nëpër rrugë dhe lagje, subvencione për qëndrim në shtëpinë e të moshuarve, ekskursione, rinovim të klubeve të pensionistëve dhe kurse falas, që pensionistët të kenë një jetë më të denjë. 
 
GYLTENE SINANI