Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, VLEN mbajti tubim në Studeniçan

07.10.2025 15:59

Bislimi e kërkoi votën e qytetarëve të komunës së Studeniçanit...

Kandidati për kryetar të komunës së Studeniçanit nga radhët e koalicionit VLEN, Sedat Bislimi, e kërkoi votën e qytetarëve të kësaj komune, duke u shprehur se kjo fushatë për të është thirrje e një populli që kërkon dinjitet, shpresë dhe ndryshim të vërtetë. Studeniçani për fat të keq është trajtuar si një skaj i harruar i Shkupit, tha Bislimi. Si problemin kryesor të Studeniçanit, Bislimi e potencoi ujin e pijshëm, për të cilin premtoi se nëse e merr mandatin, ky problem do të jetë prioritet për t’u zgjidhur.  
 
“Uji i pijshëm është prioritet absolut. Do të ndërtojmë një sistem furnizimi me rezervar modern dhe lidhje të reja për çdo lagje. Ky është projekt i jetës për çdo familje të Komunës së Studeniçanit. Në fund të mandatit tonë, kjo temë nuk do të diskutohet më. Angazhimi im do të jetë që asnjë fshat mos të jetë pa rrugë të asfaltuara dhe asnjë lagje mos të mbetet pa kanalizim. Projektet e lëna përgjysmë do t’i përfundojmë dhe projektet e reja infrastrukturore do t’i realizojmë.”, - deklaroi kandidati për kryetar të komunës së Studeniçanit, Sedat Bislimi.
 
Bislimi para banorëve të Studeniçanit premtoi se do të punojë në ndriçimin e rrugëve në këtë komunë, sepse, sipas tij, nuk ka kuptim në këtë shekull të mungojë ndriçimi publik. Ai po ashtu premtoi se do të investojë në shkolla, në kabinete moderne dhe në kushte për mësim cilësor, por gjithashtu përmendi se fëmijët nëpër shkolla më nuk do të mësojnë në klasa të ftohta e objekte të rrënuara. Sipas Bislimit, në këtë komunë më në fund do të ndërtohet pallat i kulturës, çerdhe, linja të reja të transportit publik me qytetin, transport për nxënësit që jetojnë larg shkollës, si dhe bashkëpunim me institucionet shtetërore për ta zgjidhur problemin e ndotjes nga deponia “Drislla”. Për bujqit Bislimi u zotua se do të krijojnë programe mbështetëse dhe qendra për këshillim bujqësor, kurse për të rinjtë ai tha se do të ndërtojnë qendër rinore, por edhe qendër sportive, hapësira për kulturë dhe aktivitete edukative. Ai po ashtu premtoi edhe kujdes për të moshuarit.
 
Të pranishmëve në komunën e Studeniçanit iu drejtua edhe njëri ndër krerët e koalicionit VLEN, Zekirja Ibrahimi, i cili tha se për këto 15 muaj, VLEN-i ka sjellë mbi 18 milionë euro për zhvillimin e komunave shqiptare. 
 
“I sfidoj sonte edhe një herë, urdhëroni zgjidheni cilin vit keni qejf ju të mandatit të juaj dhe hajdeni të krahasohemi me këtë vit të mandatit të VLEN-it, qoftë për numrin e projekteve që janë realizuar, qoftë për shumën e lekëve – eurove që janë nda. Në qoftë se ata janë të gatshëm të ballafaqohen me këtë shifër, unë e marr përgjegjësinë që VLEN-i të tërhiqet nga gara zgjedhore.”, - theksoi kryetari i Alternativës, Zekirja Ibrahimi.
 
Ibrahimi premtoi se nëse do t’i fitojnë zgjedhjet, temat e ujit të pijshëm, të kanalizimit dhe asfaltit e infrastrukturës, do t’i takojnë të kaluarës. Votën për kandidatët e VLEN-it në Studeniçan e kërkoi edhe kryetari i Lëvizjes Demokratike njëherësh edhe kandidat për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti. 
 
FITORE DEMOLLI