Maqedoni

Kosovë, kthehen trupat e 9 të vrarëve në Kumanovë

22.05.2015 17:13

Trupat e pajetë të 9 shtetasve të Kosovës, të vrarë në përleshjen e armatosur në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj, në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë arritur në Kosovë...

Familjarët e të vrarëve nga Morgu i Shkupit i kanë marrë trupat e pajetë rreth orës 3 e 15,  ndërkohë që kortezhi ka hyrë në territorin e Kosovës, në orën 4 e 10 minuta, përmes pikës kufitare në Han të Elezit, ku u pritën me flamuj kombëtarë nga familjarët, veteranë të UÇK-së dhe qytetarë të Hanit të Elezit. 
 
Të vrarëve, Xhafer Zymerajt, Beg Rizajt, Mirsad Ndrecajt, Valon Kabashit, Turgaj Gashit, Samid Kastriotit, Hysen Rushitit, Fatlum Vishesellajt dhe Arben Rexhajt me kërkesë të familjarëve të tyre do t’u bëhet autopsi edhe në Kosovë, ka bërë të ditur drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu.
 
“Të gjithë pothuajse kanë shprehur gatishmëri, sepse ligjet tona lejohen që dëshira familjare të respektohet. Ata po kërkojnë rihapjen, do të thotë riautopsi. Të gjithë ishin njëzëri, që do thotë të bëhet riautopsi edhe në Prishtinë”- deklaroi drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu.
 
Familjarët, por edhe ambasadori i Kosovës, Ylber Hysa, janë ankuar për procedura të stërzgjatura në Maqedoni për marrjen e trupave, për çka kanë pritur më tepër se 12 orë.
 
“Nuk kemi parë prapavijë, por ka pasur edhe procedura burokratike, që zgjasin verifikime. Sa na përket neve, ne ju kemi përgjigjur të gjitha kërkesave”- theksoi ambasadori i Kosovës në RM, Ylber Hysa.
 
Ekspertizën e trupave të pajetë e ka kërkuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, nga e cila kërkojnë që të zgjidhet dilema nëse personat që kanë humbur jetën në incidentin në Kumanovë janë vrarë gjatë luftimeve apo janë vrarë pasi ata janë dorëzuar.
 
Edhe pse në protestat e para pak ditëve u kërkua që të vrarët në luftën e Kumanovës të varrosen me nderime ushtarake, duket se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi ligji për veteranët e UÇK-së ende nuk ka hyrë në fuqi.
 
GYLTENE SINANI