Botë
Bisedimet Izrael – Hamas, zhvillohet dita e dytë në Egjipt
07.10.2025 16:46
Në Sharm el-Sheikh po zhvillohet dita e dytë e bisedimeve mes Izraelit dhe Hamasit për paqe në Rripin e Gazës....

Në Sharm el-Sheikh po zhvillohet dita e dytë e bisedimeve mes Izraelit dhe Hamasit për paqe në Rripin e Gazës. Ndërmjetësimi i Egjiptit dhe vendeve të tjera shihet si kyç për arritjen e një marrëveshjeje që mund të ndalë luftimet dhe të hapë rrugën për zgjidhje diplomatike të konfliktit. Presidenti amerikan insiston që palët t’i konkretizojnë shpejt kushtet për lirimin e pengjeve, edhe nga Tel Avivi presin që bisedimet të rezultojnë pozitivisht.
“Besoj fuqishëm se do të kemi marrëveshje, kemi vërtet mundësi të mira që të jetë një marrëveshje e qëndrueshme, duam paqe. Gaza është çështje e madhe, kjo është në shërbim të paqes në Lindjen e Mesme.”, - deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp.
Bisedimet në Egjipt zhvillohen në dyvjetorin nga sulmi i parë i Hamasit mbi jugun e Izraelit më 7 tetor të vitit 2023, ku ngelen të vdekur rreth 1.200 persona, ndërsa 251 të tjerë u morrën peng. Në të njëjtën kohë, bllokada totale që Izraeli ka vendosur ka thelluar krizën humanitare, me raste të urisë ekstreme që kanë çuar në vdekjen e të paktën 450 personave, përfshirë 150 fëmijë.
“Duhet të jemi shumë të qartë në lidhje me faktin se me shumë gjasë ka edhe më shumë se 11 mijë të zhdukur, deri më tani që nga fillimi i kësaj lufte 4.000 raste janë mbyllur, kjo do të thotë se familjet vet kanë arritur t’i gjejnë familjarët e tyre të zhdukur.”, - theksoi zëdhënësi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Kristian Kardon.
Operacionet e ashpra ushtarake të Izraelit në Gazë janë kritikuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.
“Duhet ta ndërpresim këtë cikël të dhunës dhe të ndërtojmë diçka më të mirë. Australia është pjesë e presioneve ndërkombëtare për të ndaluar luftën në Gazë, lirimin e pengjeve dhe ofrimin e ndihmës për të dyja vendet. Australia përshëndet planin e presidentit Tramp për paqe në Gazë pas dy viteve konflikt dhe humbje katastrofale në jetë njerëzish.”, - u shpreh kryeministri i Australisë, Antoni Albanese.
Kryeministri izraelit e dënoi njohjen e Palestinës duke e cilësuar si shpërblim dhe inkurajim për Hamasin, edhe pse të gjitha shtetet që e njohën shtetin palestinez e përjashtuan mundësinë që grupi militant të ketë rol në formësimin e shtetit.
ARLINDA BAFTIU
