Rajon

Kurti: Serbia po ndërhyn në procesin zgjedhor, BE-ja ta sanksionojë

07.10.2025 17:07

Kurti akuzon Serbinë për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Kosovë...

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, akuzon Serbinë për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Kosovë përmes shantazheve dhe presioneve politike. Ai kërkon nga BE-ja sanksione ndaj Serbisë, duke e quajtur këtë ndërhyrje cenim të sovranitetit dhe më të rëndë se ndikimi rus në Evropë.
 
“Deklarimet e fundit të presidentit të Serbisë, Vuçiq, dhe veprimet e vazhdueshme të aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë të Serbisë, që nuk kanë sesi të cilësohen ndryshe, përveçse ndërhyrje në procesin zgjedhor komunal të tetorit në Republikën e Kosovës. Premtimet për vende të punës, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me benificione sociale, dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë se ‘vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë’ – siç bëri tash së fundmi ish-kryeministri i Serbisë, tash këshilltar i presidentit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë edhe vet presidenti i Serbisë Vuçiq – janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë. I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit zyrtar në zgjedhjet demokratike në Kosovë dhe të sanksionojë Serbinë, shtet ky kandidat për anëtarësim në BE, për veprimet të cilat bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe shkelin Marrëveshjen Bazë të Brukselit.”, u shpreh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.