Maqedoni

Kumanovë, plagoset Z.Sh. nga Sllupçani, Merxhanovski: Është jashtë rrezikut për jetë

07.10.2025 19:37

Një person është plagosur pasdite në rrugën pranë ndërtesës së komunës së Kumanovës...

Një person është plagosur pasdite në rrugën pranë ndërtesës së komunës së Kumanovës, pasi ndaj tij është shtënë nga një automjet në lëvizje. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se i plagosuri është Z. Sh. (43) nga fshati Sllupçan, komuna e Likovës, dhe se është dërguar në spitalin e Kumanovës.
 
"Sot rreth orës 13:54 në SPB - Kumanovë është raportuar se në udhëkryqin mes rrugëve "Dimitrie Tucoviq" dhe  "11 Oktomvri" në Kumanovë dy persona në lëvizje me armë zjarri kanë shtënë në drejtim të veturës "Volkswagen Golf" të drejtuar nga Z.Sh. (43) nga fshati Sllupçan, komuna e Likovës, i cili ka marrë lëndime trupore dhe menjëherë është dërguar në Spitalin e Kumanovës, ku i është ofruar ndihma e parë. Zyrtarët policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku po punojnë në zbardhjen e rastit." njoftojnë nga SPB - Kumanovë.
 
Ndërkohë detajet për gjendjen e tij shëndetësore i ka bërë të ditura drejtori i Klinikës për Traumatologji, Ortopedi, Anestezion, Reanimin, Mjekim Intensiv dhe Qendrës Urgjente, Igor Merxhanovski. 
 
"Rreth një orë e gjysmë më parë, në Qendrën e Urgjencës në Klinikën për traumatologji, ortopedi, anestezion, reanimin, mjekim intensiv dhe qendrës urgjente pranë Klinikës “Nënë Tereza” në Shkup, është sjellë një pacient 43-vjeçar nga Kumanova, i plagosur me armë zjarri në pjesën e parakrahut të majtë dhe në këmbën e djathtë nën gju. Pacienti është jashtë rrezikut për jetën dhe i janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Aktualisht po transferohet në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ku do të trajtohen plagët, dhe shpresohet që të shërohet plotësisht.", u shpreh drejtori i klinikës për TOARMIQU, Igor Merxhanovski.