Agjencia e mediave publikon raport, mediat para fushatës raportuan objektivisht

08.10.2025 10:15

Agjencia e Mediave vlerëson pozitivisht punën e mediave nga periudha e shpalljes së zgjedhjeve deri në fillimin e fushatës...

Agjencia e Mediave vlerëson pozitivisht punën e mediave nga periudha e shpalljes së zgjedhjeve deri në fillimin e fushatës, pra nga 10 gushti deri më 28 shtator 2025. Mediat në përgjithësi iu përmbajtën parimit të raportimit objektiv dhe të paanshëm të ngjarjeve përfshi këtu edhe servisin publik, dy kanalet në maqedonisht dhe programi në gjuhën shqipe.
 
“Shërbimet programore televizive të Shërbimit Publik të Transmetimit transmetojnë edhe emisione debative, megjithatë, jo për përballje midis partive më të mëdha politike nga qeveria dhe opozita, siç përcaktohet në nenin 76-a paragrafi 11 i Kodit Zgjedhor, por me analistë politikë, të cilët analizuan sondazhet e kryera në lidhje me zgjedhjet lokale midis popullsisë në disa qytete në Maqedoni në RTM 1 ose retorikën parazgjedhore të VLEN-it dhe BDI në RTM 2.”, theksoi AShMAA.
 
Përjashtim në informim korrekt bënë dy televizione, nga nëntë që u monitoruan, TV Alfa dhe TV Alsat.
 
“Dy stacione televizive ishin përjashtim. TV Alfa nuk e respektoi këtë parim nga një perspektivë sasiore (kohë e ndarë) dhe cilësore (përmes kornizave dhe tonit pozitiv në lajmet dhe intervistat rreth partisë politike VMRO-DPMNE dhe Qeverisë dhe tonit dhe kornizave negative në lajmet rreth partisë politike LSDM, ndërsa TV Alsat-M nuk e respektoi vazhdimisht këtë parim për shkak të tonit dhe kornizave negative për partinë politike BDI në raportime lajmesh.”, thonë nga AShMAA.
 
Në këtë periudhë parazgjedhore nën vëzhgimin e Agjencisë kanë qenë edicionet qendrore të lajmeve, si dhe emisionet speciale informative (intervista, debate, përballje), të cilat kanë të bëjnë me zgjedhjet. Monitorimi tregoi se disa stacione televizive komerciale bënë gjithashtu përpjekje për të analizuar zgjedhjet lokale të vitit 2025 përmes emisioneve speciale informative.


MERAL ISMAILI