Maqedoni

Pretendimet ruse për ndarje të Maqedonisë, Zyberi: s’ka konspiracion për ndarjen e RM-së

22.05.2015 17:24

Pretendimet ruse se Maqedonia po ndjek skenarin ukrainas të përpiluar nga Perëndimi nuk mbajnë, vlerëson njohësi i çështjeve politike, Naser Zyberi...

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov, duke vënë një paralele midis krizës në Ukrainë me këtë në Maqedoni, sipas Zyberit, dëshiron që të arsyetojë ndërhyrjen e ushtrisë ruse në lindje të Ukrainës. Sipas tij, kriza në Ukrainë me krizën në Maqedoni nuk ka asgjë të përbashkët. 
 
“Nuk ka ndonjë interes strategjik kur është në pyetje Maqedonia, janë interesa pragmatike dhe atë të dyanshme. Së pari qeveria aktuale, respektivisht Gruevski, mundohet që me mbështetjen që do ta fitojë nga Rusia dhe Beogradi, pra boshti Shkup-Beograd-Moskë, t’i ikë kësaj krize politike dhe eventualisht të vihet në harresë gjithë kjo që po ndodhë. Rusia, në anën tjetër, të paraqitet paralajmërues për këtë që po ndodhë në Maqedoni dhe të akuzon Perëndimin se është fajtore për ngjarjet këtu në stilin e Ukrainës, por situata e Ukrainës dhe Maqedonisë nuk ka asnjë pikë të përbashkët, sepse këtu nuk ka konflikt ndëretnik në mes shqiptarëve dhe maqedonasve, apo ndonjë etniteti tjetër, këtu nuk bëhet fjalë për interesa të ingravuara nga ndonjë shtet fqinj siç është rasti me Ukrainën, ku Rusia drejtpërdrejtë tregoi pretendime territoriale dhe aneksoi Krimenë”- deklaroi analisti politik, Naser Zyberi.
 
Ministri rus, Lavrov, para dy ditësh në Parlamentin rus, madje, deklaroi se po zhvillohen bisedime midis Shqipërisë dhe Bullgarisë për ndarjen e Maqedonisë. Bullgaria e cilësoi këtë deklaratë si tërësisht të papërgjegjshme.  Edhe analisti Zyberi thotë se nuk ka elemente për ndarje të Maqedonisë.
 
“Bullgaria ka qenë shteti i parë që ka njohur sovranitetin territorial të Maqedonisë dhe ka njohur pavarësinë e Maqedonisë. Shqipëria është ndër vendet garante më të mira të stabilitetit të Maqedonisë dhe nuk mund të gjendet asnjë element i cili çon në drejtim të një marrëveshje konspirative Bullgari – Shqipëri për ndarjen eventuale të Maqedonisë”- tha analisti politik, Naser Zyberi.
 
Sipas Zyberit, i mbetet Tiranës zyrtare që të prononcohet mbi pretendimet e tilla ruse, ndërsa Maqedonia do të duhet t’i rreshtohet karvanit të shteteve të BE-së e jo politikës ruse, me qëllim të krijimit të një rajoni më stabil.
 
MERAL ISMAILI