Padi ndaj 2 pronarëve të shtëpive për të moshuar, servonin ushqim të skaduar për të moshuarit
Ministria e Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal...

Ministria e Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit kundër N.J. (47) dhe T.I. (58), të dyja nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës” sipas nenit 143 të Kodit Penal.
MPB, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike, gjatë dy ditëve të fundit ka siguruar prova që konfirmojnë dyshimin e bazuar se të dyja të dyshuarat, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje Sociale.
Gjatë kontrolleve në dy institucionet njëra në rrugën “Rudo” në Butel dhe tjetra në rrugën “Kozara” në Qendër – është vërtetuar se të dyja të dyshuarat kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të moshuarve.
Në kundërshtim me të gjitha rregullat, në dhoma kishin vendosur bashkë burrat dhe gratë. Nuk kishte krevate për të gjithë banorët, ndaj disa prej tyre flinin në divane në dhomën e ditës, ndërsa të tjerë ndanin të njëjtin shtrat.
Të gjithë banorëve në të dy institucionet u ishin shërbyer ushqime me produkte me afat të skaduar, për të cilat janë marrë mostra nga ushqimi.
Me urdhër të prokurorit publik, të gjithë personat e strehuar iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore dhe analizave nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
