Rifillojnë bisedimet për armëpushimin në Gazë, ndërmjetësuesit amerikanë arrijnë në Egjipt
Negociatat midis Hamasit dhe Izraelit...

Negociatat midis Hamasit dhe Izraelit do të rifillojnë sot në qytetin egjiptian Sharm el-Sheikh. Të dy palët dhe ndërmjetësues të shumtë po punojnë drejt arritjes së një marrëveshjeje bazuar në planin e armëpushimit të presidentit të ShBA-së, Donald Tramp, për Gazën.
Bisedimet synojnë të zbatojnë fazën e parë të propozimit të administratës Tramp, e cila përfshin lirimin e të gjithë pengjeve dhe lirimin e një numri të caktuar të të burgosurve palestinezë.
Katari, si ndërmjetësues, tha se shumë nga detajet në planin e Trampit ende nuk janë trajtuar në negociata. Kryeministri i Katarit do t’i bashkohet bisedimeve sot. Ndërkohë, kërkesat e grupit militant përfshijnë një armëpushim të përhershëm, tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Gaza dhe hyrjen e pakufizuar të ndihmës humanitare.
Kryenegociatori i Hamasit tha se qëllimet e tij mbeten vetëvendosja palestineze, fundi i luftës dhe tërheqja e Izraelit nga Gaza.
Edhe ministri izraelit i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, do t’i bashkohet bisedimeve sot. Dermer është kryenegociatori dhe konsiderohet si personi më i besuar i kryeministrit Benjamin Netanjahu.
