Maqedoni

Imunizimi, filloi regjistrimi për vaksinim falas

08.10.2025 14:02

Nga dita e sotme ka filluar regjistrimi për vaksinimin falas kundër gripit sezonal për grupet e rrezikuara të popullsisë...

Nga dita e sotme ka filluar regjistrimi për vaksinimin falas kundër gripit sezonal për grupet e rrezikuara të popullsisë, të cilat mund të paraqiten duke plotësuar aplikacionin në faqen vakcinacija.mk ose përmes mjekut të tyre amë, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë. Mjekja Kefajete Qaili për TVM2 thotë se vaksinat janë të sigurta dhe cilësore dhe kanë të drejtë ta marrin falas kategoritë më të rrezikuara të popullatës si personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat e strehuar në institucionet e mbrojtjes sociale për të moshuarit dhe të punësuarit në këto institucione.
 
“Vaksinat janë të siguruara nga Holanda nga prodhuesi i njohur “Abbot” që është vaksinë katërvalente. Vaksinat katërvalente janë më të avancuara dhe përmban katër lloje të influencës A dhe B. Do të jenë persona të rritur mbi moshën 65-vjecare, të sëmurët me sëmundje kronike, do të jenë gratë shtatzëna dhe fëmijët prej 6 muaj deri në 5 vjeç dhe punonjësit shëndetësorë, d.m.th. të gjithë të rrezikuarit nga virusi i gripit do të kenë mundësi të vaksinohen falas në punktet që do të përcaktohen për vaksinim.”, - deklaroi mjekja, Kefajete Qaili.
 
Ministria e Shëndetësisë informon se është nënshkruar kontratë për furnizimin me 80 mijë vaksina kundër gripit sezonal. Vaksinat pritet të mbërrijnë gjatë javës së ardhshme, pas së cilës, si çdo vit, imunizimi kundër gripit do të nisë në gjysmën e dytë të këtij muaji.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI