Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, VMRO-DPMNE mbajti tubim në Tetovë
08.10.2025 14:19
VMRO-DPMNE mbrëmë prezantoi bartësin e listës së këshilltarëve komunalë në komunën e Tetovës...

Karvani zgjedhor i udhëhequr nga VMRO-DPMNE mbrëmë prezantoi bartësin e listës së këshilltarëve komunalë në komunën e Tetovës, Branisllav Svetozaroviq. Ky i fundit u zotua para banorëve se bashkërisht me ekipin e tij dhe mbështetjen e Qeverisë do të punojë për t’ua zgjidhur atyre çështjet më delikate, duke punuar për modernizimin e infrastrukturës rrugore, transportin publik më efikas dhe falas, do të zgjidhë problemin me mbeturinat urbane, do të krijojë një stacion për selektimin e mbeturinave, rinovimin e rrjetit të furnizimit me ujë, më shumë zona të gjelbra brenda qytetit, si dhe garazhe shumëkatëshe në periferi, tha ai.
“Fokusi i përbërjes së ardhshme të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, e mbështetur nga projektet e Qeverisë dhe partitë në koalicion do të përqendrohen në zgjidhjen e çështjeve më urgjente të komunës sonë. Një nga prioritetet më të mëdha është cilësia e jetës së qytetarëve, prandaj përveç infrastrukturës rrugore, do të fokusohemi për një mjedis shumë më të pastër se ai që kemi sot, përmes zgjidhjeve të ndryshme për të zgjidhur kaosin e trafikut.”, - deklaroi bartësi i listës së anëtarëve të Këshillit të Komunës së Tetovës nga VMRO-DPMNE, Branisllav Svetozaroviq.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, u tha banorëve te Tetovës se Qeveria do të përkrahë vazhdimisht projektet për zhvillimin më të madh të kësaj komune, por njëherësh kritikoi kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, se ai është fajtor për shpërnguljen masive të qytetarëve nga zona e Pollogut dhe jo vetëm. Mickoski foli edhe për sistemin gjyqësor duke thënë se vendit i duhet një rivendosje e sistemit gjyqësor.
"Momenti, që brezat kanë pritur, është para nesh, është koha për të rivendosur sistemin, është koha për të thyer zinxhirët e padrejtësisë dhe për të ndërtuar një shtet drejtësie, lirie dhe kujdesi për të gjithë. Gjyqësori duhet të jetë i paanshëm dhe i palëkundur. Gjykatës që gjykojnë sipas ligjit, jo sipas ndikimit, institucione që mbrojnë, jo ata që heshtin. Procedura që kthejnë besimin, jo që krijojnë, nuk krijojnë dyshime. Drejtësia nuk duhet të jetë privilegj për disa persona.", - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Karvani zgjedhor i VMRO-DPMNE-së nën moton "Zgjedhja e duhur! Njeriu juaj! Vendi juaj!” në krye me Mickoskin, mbrëmë vazhdoi edhe në Komunën e Gostivarit, Mavorës dhe Rostushës, ku zhvilluan takime me qytetarët dhe mbajtën tubime. Mickoski nga Gostivari i bëri thirrje Venko Filipçes, që të tregojë publikisht se çfarë mendon për mentorin dhe gurun e tij nga Strumica. Mickoski kërkoi nga banorët e këtyre vendeve, më 19 tetor të rrethojnë numrin 9 të VMRO-DPMNE-së, që garanton zhvillim më të madh komunal dhe jetë më të mirë për të gjithë.
REXHEP QAMILI
