Rajon
Tiranë, i jepet lamtumira e fundit gjyqtarit Kalaja
08.10.2025 14:44
Pallati i Kongreseve u kthye këtë të mërkurë në një vend dhimbjeje e ngushëllimesh për humbjen e gjyqtarit Astrit Kalaja...

Pallati i Kongreseve u kthye këtë të mërkurë në një vend dhimbjeje e ngushëllimesh për humbjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili dy ditë më parë u ekzekutua në sallën e gjyqit. I gjithë shteti ishte i pranishëm në hollin e kësaj godine... Familjarë, miq, kolegë e zyrtarët më të lartë të politikës dhe drejtësisë mbajtën për dy orë homazhe në nderim të figurës së tij. Në Pallatin e Kongreseve u shfaqën të gjithë prokurorët e SPAK-ut, të prirë nga drejtuesi i tyre, Altin Dumani. Gjyqtarë e prokurorë nga mbarë vendi, si dhe drejtues të të gjitha institucioneve të drejtësisë i dhanë lamtumirën.
Një mesazh në librin e ngushëllimeve la presidenti i republikës Bajram Begaj. Kryeministri Edi Rama u shoqërua nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari. Në librin e ngushëllimeve shkroi se “vrasja e gjyqtarit është një tragjedi e madhe për familjen, të afërmit, kolegët dhe vetë shtetin”.
Për ish-ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, drejtësia shqiptare ka humbur një gjyqtar me integritet.
“Jam këtu për t’i dhënë nderimet e fundit një mikut tim të vjetër me të cilin na ka bashkuar puna në sistemin e drejtësisë në ditë të vështira. Në vitet 2002-2007, kur Kalaja ishte gjyqtar në Shkodër, derisa unë drejtoja Prokurorinë e Shkodrës. Drejtësia ka humbur një gjyqtar me integritet, njeri model, ndërsa ne kemi humbur një shok të mirë.”, - theksoi ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Opozita e sheh përgjegjësinë e vrasjes te kryeministri Edi Rama. Në orën 11.00 trupi i gjyqtarit Astrit Kalaja u përcoll në qytetin e lindjes në Shkodër, ku edhe do te prehet në banesën e fundit.
LULJETA NDOKA
