Mbyllen dy azile për pleq, padi penale për dy keqtrajtues
Gjykata Penale - Shkup ka shqiptuar masën e paraburgimit...

Gjykata Penale - Shkup ka shqiptuar masën e paraburgimit për dy të dyshuarit për veprat penale - keqpërdorim i vazhdueshëm i pozitës dhe autorizimit zyrtar dhe keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës.
Të dyshuarit ngarkohen për abuzim ndaj të moshuarve në shtëpitë private për përkujdesje.
Sipas Prokurorisë, është konstatuar se të dy të dyshuarit kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj të moshuarve të akomoduar në këto qendra. Edhe më rëndë, të gjithëve në të dy institucionet u janë shërbyer vakte me produkte me afat të skaduar. Rasti është evidentuar në shtëpinë për përkujdesje në rrugën “Rudo” në Butel, dhe tjetri në rrugën “Kozara” në Qendër. Për muaj, nga të dy objektet është realizuar përfitim pasuror në shumën totale prej 2.232.000 denarë, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria Publike.
“Me veprimet e koordinuara nga prokurori publik gjatë dy ditëve të kaluara janë siguruar prova që konfirmojnë dyshimin bazë për dy të dyshuarit, në cilësinë e pronarëve dhe personave të autorizuar të të dy institucioneve private për mbrojtje sociale për të moshuarit në Shkup. Kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për mbrojtje sociale dhe me qëllim, përfitim pasuror, rëndë i kanë shkelur të drejtat e personave me përkujdesje. Dy institucionet private, gjatë periudhës nga viti 2022 e deri më sot, nuk e kanë kryer veprimtarinë në përputhje me lejet e lëshuara, respektivisht kanë strehuar përdorues mbi kapacitetin e lejuar, nuk kanë mbajtur si duhet evidencën e kërkuar për përdoruesit e shërbimeve sociale, nuk kanë pasur dosje me dokumentacion profesional për të gjithë shfrytëzuesit.”.
Më tepër, dy personat e dyshuar nuk kanë mbajtur as evidencë për ruajtjen e higjienës personale, nuk kanë pasur numër të mjaftueshëm të punonjësve profesional në ndërrime dhe kanë punësuar persona pa dokumentacion të përshtatshëm për punësim, si dhe nuk kanë siguruar katër vakte ditore, ashtu siç parashikojnë rregullat për funksionimin dhe kushtet nga vendimet e lëshuara nga Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.
Institucionet janë mbyllur, ndërsa me koordinim të organeve kompetente shtetërore për përdoruesit është siguruar akomodim i përshtatshëm. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
