Maqedoni

Zgjedhjet lokale, KShZ-ja miraton udhëzuesin për votim

08.10.2025 15:13

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi udhëzuesin për votimin në zgjedhjet lokale....

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi udhëzuesin për votimin në zgjedhjet lokale. Midis tjerash thuhet se votimi është personal, ndërkaq votuesit do të duhet personalisht të paraqiten në vendvotim me dokument identifikimi. Të drejtën e votës do ta kenë edhe personat të cilëve u ka kaluar vlefshmëria e dokumenteve identifikuese nga dita e shpalljes së zgjedhjeve e deri më 19 tetor. Votuesit, para se të votojnë, identifikohen edhe para aparatit biometrik.
 
“Votimi kryhet personalisht nga votuesit në vendvotime në Maqedoninë e Veriut. Votuesi mund që vetëm një herë të paraqitet në vendvotim për të votuar. Votuesi dëshmon dokumentin për identifikim personal, sikurse letërnjoftim ose pasaportë, madje edhe letërnjoftim dhe pasaportë të skaduar nga dita e shpalljes së zgjedhjeve. Votuesi vë shenjat nga gishti tregues i dorës së djathtë në pajisjen për identifikim biometrik. Nëse votuesi nuk ka gisht tregues të djathtë, atëherë shenjat merren nga gishti tregues i dorës së majtë.”, - deklaroi kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko.
 
KShZ-ja njofton se është i ndaluar votimi grupor, familjar, votimi për dikë tjetër, fotografimi i fletëvotimit dhe mbajtja e armës në vendvotim. Edhe gjatë seancës së sotme janë akredituar pesë vëzhgues të huaj dhe katër vendor. Nesër përfundon afati për dorëzimin e kërkesave për monitorimin e procesit zgjedhor. Deri më tani, KShZ-ja ka akredituar 74 vëzhgues vendor dhe 110 të huaj. Pas dy ditësh, më 10 tetor do të përmbyllet afati i regjistrimit të personave të sëmurë, të cilët në pamundësi do të duan të votojnë nga shtëpia. Ata do të duhet të njoftojnë KShZ-në me një dokumentacion mjekësor. Më 14 tetor skadon afati i regjistrimit të personave që janë në arrest shtëpiak.
 
MERAL ISMAILI