Maqedoni
Rasti “Onkologjia”, dëgjohen dëshmitarët e Prokurorisë, mbrojtja, dyshime mbi ekspertizën e dëshmitarit
08.10.2025 15:42
Me dëgjimin e dëshmitarit të propozuar nga Prokuroria Themelore Publike vazhdoi procesi gjyqësor kundër ish-drejtorit të Klinikës për Onkologji....

Me dëgjimin e dëshmitarit të propozuar nga Prokuroria Themelore Publike vazhdoi procesi gjyqësor kundër ish-drejtorit të Klinikës për Onkologji, Nikola Vasev, i cili bashkë me dy onkologë të tjerë, akuzohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve. Dëshmitari Aleksandar Gaçev, bashkëshorti i pacientes që tashmë ka ndërruar jetë, para gjykatës deklaroi se sipas propozimit të Vasevit, bashkëshortja e tij ka marrë terapi sipas një programi eksperimental. Bashkëshortja e tij në fillim ndiente efektin e terapisë, por pas një periudhe të caktuar në disa raste nuk e ndjente efektin. Avokati Bobi Spirkovski, i cili është avokat mbrojtës i të akuzuarit të parë Vasev, pas seancës së sotme e cilësoi ekspertizën e bërë nga mjekët sllovenë dhe serbë si të pasaktë, sepse, siç tha, ata nuk morën dokumentacion të mjaftueshëm, përkatësisht morën vetëm historitë mjekësore të pacientëve.
“Ekspertiza e dëshmitarit është krejtësisht e kundërt me ekspertizën e mjekëve nga Sllovenia. Ne nuk dyshojmë në profesionalizmin e mjekëve nga Beogradi ose Maribori, por mendojmë se ekspertizat e tyre janë të pasakta, sepse ata nuk morën dokumentacion të mjaftueshëm. Morën vetëm historitë mjekësore, që nuk është e mjaftueshme dhe bëjnë gabime thelbësore. Ata mendojnë se nuk mund të vendosin pa ditur sa është gjatësia dhe pesha e pacientit.”, - theksoi avokati mbrojtës i Nino Vasevit, Bobi Spirkovski.
Rasti përndryshe është në fazën e administrimit të provave dhe duhet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria. Ish-drejtori i Klinikës për Onkologji, Nikola Vasev, së bashku me dy onkologë të tjerë, Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, të punësuar në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji Shkup, janë të akuzuar për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve. Procedura ka filluar edhe ndaj një onkologeje tjetër, e dyta e akuzuar, Meri Peshevska, e cila e pranoi fajësinë, pas së cilës gjykata e dënoi me dy vjet burg me kusht.
BELINDA KOKA ADEMI
