Botë
Raundi i ri i bisedimeve për Gazën ka filluar në Egjipt me pjesëmarrje rajonale
08.10.2025 16:14
Në Egjipt ka filluar një raund i ri bisedimesh për paqe në Rripin e Gazës me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë nga ShBA-ja dhe Katari...

Në Egjipt ka filluar një raund i ri bisedimesh për paqe në Rripin e Gazës me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë nga ShBA-ja dhe Katari, pasi bisedimet e një dite më parë përfunduan pa ndonjë përparim konkret. Në tryezën e negociatave, përkrah të dërguarit të posaçëm amerikan Vitkof dhe kryeministrit të Katarit, Al Thani, u ul edhe shefi i shërbimit informativ turk.
“Bisedimet po vazhdojnë në Sharm El-Sheikh mes delegacionit izraelit dhe atij të Hamasit, me pjesëmarrje rajonale. Pjesë e tyre është edhe pala amerikane.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Egjiptit, Badër Abdelati.
Ndërsa ndërmjetësuesit po përpiqen të afrojnë kërkesat e kundërta të Izraelit dhe Hamasit për t’i dhënë fund luftës, Katari paralajmëron se asnjëra nga palët nuk do t’i realizojë plotësisht kushtet e veta.
“Çdo plan për arritjen e një marrëveshjeje në cilëndo nga këto kriza nuk do të pasqyrojë tërësisht atë që dëshiron cilado nga palët. Pengesa kryesore në bisedimet aktuale është zbatimi i marrëveshjeve. Duhet të gjejmë zgjidhje praktike për zbatimin e tyre të shpejtë dhe të aktivizojmë menjëherë mekanizmat e monitorimit, për të parandaluar përkeqësime të mëtejshme të situatës.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Maxhid Al-Ansari.
Katari kritikoi Tel Avivin, duke theksuar se pavarësisht planit të propozuar që parashikon ndalimin e menjëhershëm të sulmeve nga ana e Izraelit, kjo nuk ka ndodhur. Netanjahu nuk komentoi mbi statusin e bisedimeve, por u tha qytetarëve izraelitë se ndodhen në ditë vendimtare. Përmes rrjeteve sociale, ai njoftoi se Izraeli do të vazhdojë të veprojë për të arritur objektivat e tij ushtarakë.
“Kthimi i të gjithë të të rrëmbyerve, eliminimi i regjimit të Hamasit dhe garancia që Gaza nuk do të përbëjë më kërcënim për Izraelin.”, - u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se veprimet e Izraelit sabotojnë përpjekjet për armëpushim në Gazë dhe se “nuk është e drejtë që e gjithë barra e paqes t’i vihet vetëm Hamasit dhe palestinezëve.”.
Plani i paqes parashikon një administratë ndërkombëtare kalimtare për Gazën, e udhëhequr nga Toni Bler, që do të zgjaste nga 3 deri në 5 vjet, pas së cilës pushteti do t’i kalojë një autoriteti palestinez të reformuar.
FARIJE DAUTI BAKIU
