Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, Mexhiti dhe Kasami vazhduan fushatën
08.10.2025 16:22
Mexhiti ka prezantuar shtyllën dy të programit të tij, arsimin në këtë komunë.

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, ka prezantuar shtyllën dy të programit të tij, arsimin në këtë komunë. Mexhiti tha se vizioni i tij është një komunë ku çdo fëmijë do të ketë qasje në arsim cilësor, me shkolla moderne dhe të sigurta, ku do të mund të zhvillojë talentin dhe të realizojnë plotësisht potencialin e tij. Fillimisht është paraparë investimi në arsimin parashkollor dhe fillor, tha Mexhiti, i cili paralajmëroi ndërtimin e tre çerdheve të reja, si dhe ndërtimin e shkollave të reja.
“Do të ndërtojmë shkollë të re në lagjen Teneçe Mahallë, për 1.300 nxënës me emrin “Viktoria”, për shkak se dhe pulla e ndërtimit është në formën V. Do të ndërtojmë shkollë të re për fëmijët me nevoja të veçanta “Ardhmëria” apo “Idnina” siç ishte, duke siguruar kushte më të mira për ta dhe në vendin e njëjtë do të ndërtohet edhe një shkollë e re fillore, që do të quhet Mitat Frashëri. Do të zgjerojmë kapacitetet e shkollave “Hasan Prishtina” dhe “Ismail Qemali”, për t’u dhënë fund klasave të stërngarkuara.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti.
Mexhiti tha se angazhohen për mësimin në një ndërrim dhe mësimin tërëditor në të gjitha shkollat. Ai po ashtu premtoi rikonstruim të plotë të oborreve të shkollave, rrethojave dhe sallave sportive. Po ashtu ai premtoi qasje në objektet shkollore për nxënësit me aftësi të kufizuara, pajisje moderne informatike në çdo klasë, si dhe ndërtimin e fasadave energjetike efikase. Njëherësh pjesë e programit të Mexhitit, siç u tha është e dhe ndarja e bursave për nxënësit dhe sportistët e suksesshëm, si dhe shpërblime për mësimdhënësit më të suksesshëm. Po ashtu parashihen pajisje shkollore falas për secilin nxënës që regjistrohet në klasë të parë, trajnim falas IT dhe organizim i ligave shkollore sportive. Po ashtu Mexhiti theksoi se Qeveria ka ndarë 40 milionë euro për ndërtimin e kampusit universitar të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, që siç tha ai, ka filluar të realizohet prej ditës së djeshme.
Ndërsa kandidati për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka shpalosur ofertën e tij para banorëve të lagjes Teqe dhe Bregu i Diellit.
“Ata tjerët nuk kanë punuar aspak dhe ne kishim obligim që ta kompensojmë atë punë, shkaku që keni aktivistë të cilët, mos të them më kanë detyruar, por nuk më kanë lënë rehat. Tetova do të ecë përpara, Tetova do të realizojë projekte në infrastrukturë, Tetova do të realizojë projekte edhe në arsim, edhe në sport, edhe në shkencë edhe në kulturë, sepse Tetova meriton të jetë në piedestalin e Maqedonisë së Veriut.”, - theksoi kandidati i VLEN-it për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami.
Njëherësh Kasami dhe bartësi i listës së kandidatëve për këshilltarë nga koalicioni VLEN, Albi Qamili, premtuan se nëse marrin mandatin për të vazhduar me udhëheqjen e Tetovës, do të vazhdojnë me realizimin edhe të projekteve të reja në lagjen Teqe dhe Bregu i diellit, ashtu si edhe në pjesë të tjera të Tetovës. Kasami ka theksuar se vizitat në lagje janë një mundësi për të dëgjuar drejtpërdrejt nevojat e qytetarëve dhe për t’i integruar ato në planet zhvillimore të komunës. Teqen e bëmë me rrugë evropiane, ndërsa në Bregun e Diellit e zgjidhëm problemin shumëvjeçar me ujin e pijshëm.
FLORIJE KAMBERI
