Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, AKI shpalosi vizionin për Çairin dhe Butelin
08.10.2025 16:27
Osmani ka prezantuar vizionin e tij për nënkalimin në pjesën e rrugës Çairçanja dhe ndërtimin mbi të...

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka prezantuar vizionin e tij për nënkalimin në pjesën e rrugës Çairçanja dhe ndërtimin mbi të, të sheshit “Liria”, që do t’i lidhte lagjet e Serovës dhe Gazibabës. Ky do të jetë sheshi i dytë për nga madhësia pas sheshit “Skënderbeu” në Çair, tha Osmani.
“Përveç nënkalimit edhe parkim nëntokësorë prej 350 vendeve dhe kemi tash tre funksione që i integrojmë. Një kompleks multifunksional që do të zgjidhë çështjen e parkimit në këtë zonë të tejngarkuar, do të krijojmë sheshin “Liria” me të gjithë potencialin e vet që qytetarët të kenë mundësi për lëvizje për rekreim dhe socializim dhe natyrisht nënkalimin, që do të jetë i ndriçuar pa ndërprerje.”, - theksoi kandidat i AKI-së për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani.
Osmani theksoi se ky do të jetë një prej projekteve që do ta shndërrojë Çairin në një transformim urban. Ferizai që dikur ishte disa herë më pak i urbanizuar se Shkupi, sot ka dy nënkalime të dizajnit të njëjtë, me parkim nëntokësor dhe shesh. Edhe Tirana po i ndërton aktualisht nënkalimet më të mëdha, prandaj kjo mund të bëhet edhe në Çair, tha Osmani. Çairi mund të udhëhiqet ndryshe, pa korrupsion, me pastërti, me rregull, me plan, me vizion dhe me guxim për projekte të mëdha infrastrukturore, tha Osmani.
Edhe kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Butelit, Isamedin Azizi, ka paraqitur vizionin e tij për këtë komunë. Azizi tha se Buteli për vite me radhë ka qenë shembulli më i dhimbshëm i diskriminimit institucional, prandaj ai premton se do të angazhohet për një të ardhme për të gjithë pa dallim feje dhe etnie.
“Në administratë do t’i japim fund diskriminimit etnik. Administrata komunale do të pasqyrojë realitetin demografik të Butelit. Do të sigurojmë zbatim të plotë të dygjuhësisë, përfaqësim të drejtë të gjitha komuniteteve dhe digjitalizim të shërbimeve për më shumë efikasitet dhe transparencë. Në urbanizëm dhe infrastrukturë do t’i ndalim praktikat diskriminuese dhe do t’i garantojmë të drejtën e barabartë për ndërtim dhe zhvillim të pronës.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të komunës së Butelit, Isamedin Azizi.
Azizi tha se lejet e ndërtimit do të jepen duke u bazuar në ligj e jo në përkatësi etnike apo politike, plan urbanistik gjithëpërfshirës bazuar në nevojat reale të qytetarëve. Po ashtu ai premtoi investime infrastrukturore në të gjitha lagjet dhe fshatrat, e jo vetëm në Radishan e Lubancë, por edhe në Vizbeg, Shkup Veri, Butel 1, në Butel 2 dhe në fshatin Luboten. Azizi njëherësh premtoi modernizimin e shkollave dhe çerdheve, mbështetje për nxënësit e dalluar, krijimin e hapësirave për aktivitete kulturore, ndërtimin e sallave sportive në Vizbeg dhe Luboten. Po ashtu ai premtoi një fushë futbolli sipas standardeve moderne dhe një qendër sportive multifunksionale, në mbështetje të klubeve lokale dhe të rinjve. Sa i përket ambientit, Azizi premtoi se do të shndërrohet Buteli në një komunë të pastër, të gjelbër dhe të shëndetshme.
GYLTENE SINANI
