Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, E Majta vazhdon fushatën në Shkup dhe Kamenicë
08.10.2025 16:53
Mecinoviq ka prezantuar planin e tij për transportin publik në kryeqendër...

Kandidati për Qytet të Shkupit nga E Majta, Amar Mecinoviq, ka prezantuar planin e tij për transportin publik në kryeqendër, projekt që sipas Mecinoviqit, do të ofrojë zgjidhje 100-vjeçare. Shkupit i duhet projekt funksional dhe efikas, linja të reja të transportit publik me itinerare të reja rrethore dhe numër të shtuar të autobusëve. Sipas Mecinoviq, kaosi urban ndodh pikërisht nga mungesa e linjave të autobusëve.
“Fillimisht duhet të porositen autobusë të rinj që do të jenë dinjitoz për qytetarët, pasi që këto autobusë aktualë janë të pasigurt. Verën e kaluar kishim raste që digjeshin autobusët dhe rrezikonin jetën e qytetarit të Shkupit. Pas porosisë për autobusë të rinj duhet linjat e autobusëve, pasi që këto linja janë anakronike janë të vjetra dhe jo funksionale dhe nuk e shërbejnë qytetin në mënyrën e duhur.”, - deklaroi kandidati për Qytetin e Shkupit nga E Majta, Amar Mecinoviq.
E Majta garon me listën për këshilltarë edhe në Makedonska Kamenicë.
“Do të fokusohemi në zhvillimin e komunës, kryesisht të kapacitetit industrial që bashkëqytetarët tanë të mos shkojnë në punë në komunat fqinje, të mbeten në Makedonska Kamenicë dhe t’u përkushtohen familjeve. Po ashtu do të kontribuojmë që të subvencionohen më tepër nxënësit dhe të mos jetë si deri tani për fëmijët e porsalindur të mos paguhen paratë.”, - theksoi kandidati nga E Majta për këshilltar të Kamenicës, Dejanço Stoilkovski.
E Majta gjithashtu propozon përdorimin e linjës ekzistuese hekurudhore veri-jug dhe ndërtimin e një linje të re lindje-perëndim, e cila do të krijonte një infrastrukturë të përhershme dhe efikase. Linja do të jetë 13 kilometra e gjatë, me 20 stacione, dhe sipas tij, do të kursente qindra miliona euro në planin afatgjatë.
GAZMEND REXHEPI
