Marrëveshje Izrael - Hamas për armëpushim, Tramp: Pengjet do të kthehen të hënën

09.10.2025 11:21

Pas më shumë se dy vitesh luftë...

Pas më shumë se dy vitesh luftë, Izraeli dhe Hamasi njoftuan në orët e para të mëngjesit se kishin arritur një marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës, si pjesë e një plani të propozuar nga presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, dhe që synonte paqen “e qëndrueshme” në rajon.

“Është një ditë e madhe për Izraelin.”, tha  Benjamin Netanjahu, duke “falënderuar” presidentin e ShBA-së, Tramp, dhe duke njoftuar se do të thërriste një mbledhje të kabinetit më vonë gjatë ditës për të ratifikuar marrëveshjen.

Trampi theksoi se beson që pengjet izraelite të mbetura në Rripin e Gazës do të “kthehen deri të hënën”.

“Ne besojmë se Gaza do të bëhet një vend shumë më i sigurt, do të rindërtohet dhe vendet e tjera në rajon do të ndihmojnë në rindërtimin e saj, pasi ato kanë pasuri të madhe dhe duan që kjo të bëhet. Dhe ne, ShBA-ja, do të marrim pjesë, për të ndihmuar dhe garantuar suksesin dhe për të ruajtur paqen.”, tha gjithashtu Trampi.

“Është shumë mirë për Izraelin, për myslimanët, për vendet arabe, për ShBA-në.”, vazhdoi ai, duke theksuar se kjo është “diçka më shumë se (paqja) në Gazë. Kjo është paqe në Lindjen e Mesme”.