Maqedoni
MPB, mbi 18 mijë gjoba për vozitje pa leje për 9 muaj
09.10.2025 13:34
Nga 7 tetori në kuadër të kontrolleve të trafikut janë regjistruar 373 shkelje për pjesëmarrje në trafik pa leje drejtimi...

Nga 7 tetori në kuadër të kontrolleve të trafikut janë regjistruar 373 shkelje për pjesëmarrje në trafik pa leje drejtimi. Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme policore në fushën e trafikut në të gjitha sektorët e punëve të brendshme, përfshirë aktivitetet e njësisë mobile për sigurinë në trafikun rrugor, janë sanksionuar 18.458 shoferë që kanë marrë pjesë në trafik pa pasur patentë shoferi.
Më shumë shkelje të tilla janë regjistruar në zonat e SPB - Strumicë dhe Shkup me 3.275 dhe 3.202 shkelje, më pas në territorin e SPB – Manastir 2.811 shoferë janë sanksionuar për drejtim pa patentë shoferi, 2.086 masa janë shqiptuar në territorin e SPB - Tetovë, dhe 1.660 shoferë janë sanksionuar për drejtim pa patentë shoferi në SPB - Kumanovë.
“Njësia mobile për sigurinë në trafikun rrugor ka vendosur 1.634 masa ndaj shoferëve që kanë marrë pjesë në trafik në kundërshtim me dispozitat e nenit 225 të Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor, pra kanë drejtuar pa patentë shoferi.”.
“Në javën e parë të tetorit, pra që nga data 07.10.2025, deri më tani janë regjistruar 373 shkelje për pjesëmarrje në trafik pa patentë shoferi në kuadër të kontrolleve të trafikut. U bëjmë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e trafikut dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë për rrugë më të sigurta për të gjithë ne.”, thonë nga MPB.
Kontrollet e intensifikuara të trafikut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
VLORA LATIFI TOPOJANI
