Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, AKI mbajti tubim në Vrapçisht

09.10.2025 14:39

Në komunën e Vrapçishtit, AKI ka kërkuar edhe një mandat për kryetarin aktual të kësaj komune...

Në komunën e Vrapçishtit, Aleanca Kombëtare për Integrim ka kërkuar edhe një mandat për kryetarin aktual të kësaj komune, Isen Shabani. Duke iu drejtuar të pranishmëve, Shabani tha se gjatë mandatit të kaluar ka dëshmuar punë, vizion dhe dashuri për këtë komunë. Ai tha se ka luftuar për ta çuar përpara këtë komunë, duke ndërtuar shkolla dhe çerdhe, si dhe pajisjen me infrastrukturë bashkëkohore arsimore dhe teknologjike. Ai po ashtu theksoi krijimin e qendrës ditore për fëmijë me nevoja të veçanta, mbështetje për familjet në nevojë, përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe nxitjen e aktiviteteve rinore, ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugëve, ndriçimi publik, si dhe ndërtimi dhe rikonstruimi i ujësjellësve dhe rrjetit të kanalizimeve. Shabani tha se ka luftuar për çdo rrugë, për çdo familje, ndërsa, siç tha ai, kjo betejë nuk do të ndalet këtu, nëse merr përsëri mandatin e kryetarit të komunës do të vazhdojë me realizimin e projekteve në interes të qytetarëve, duke përfshirë zhvillimin ekonomik dhe punësimin. 
 
“Qëndroj para jush me zemër plot krenari dhe ndërgjegjen e pastër, sepse çdo fjalë që ju dhashë e kam kthyer në vepër. Çdo premtim që ju bëra, e kam mbajtur me nder. Ne nuk erdhëm për propagandë politike, ne erdhëm për të ndërtuar. Në çdo rrugë që sot ndriçon, në çdo shesh që pulson jetë, në çdo familje që jeton më mirë është puna jonë.”, - deklaroi kandidati për kryetar të Vrapçishtit, Isen Shabani.
 
Të pranishmëve në tubimin në Xhepçisht iu drejtua edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili theksoi se aleanca të tilla, si Aleanca Kombëtare për Integrim formohen përpara vështirësive, përpara një paralajmërimi se po preken gjëra të shenjta. 
 
“Duke u rrezikuar ajo që e kemi arritur me gjak ne si shqiptarë, rrezikohen edhe komunitetet më të vogla, rrezikohet edhe komuniteti turk, i nderuar deputet. Rrezikohet edhe komuniteti boshnjak, edhe komuniteti rom, edhe ai vlleh. Kjo aleancë kombëtare i duhet RMV-së deri në anëtarësimin e plotë në BE.”, - theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ahmeti tha se nuk është nacionalizëm të mbrosh vlerat kombëtare të arritura me gjak që pasqyrohen në Marrëveshjen e Ohrit, nuk është nacionalizëm të mbrosh Marrëveshjen e Ohrit e garantuar nga ShBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja.  Kjo marrëveshje i siguroi paqe, stabilitet, dialog, sepse ndryshe i kanosej Maqedonisë copëtimi, tha Ahmeti. Të pranishmëve në Bogovinë iu drejtua edhe njëri nga liderët e këtij koalicioni, Arben Taravari, i cili kërkoi përkrahje për kandidatin për kryetar Isen Shabani dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunalë nga AKI. Ndërkohë kandidati i AKI-së për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka qëndruar në rrugën e plastikave, prej ku ka premtuar angazhimin e tij për të ndihmuar zhvillimin e ekonomisë lokale.  
 
GYLTENE SINANI