Maqedoni
Trafiku ajror, M-NAV: Fluturimet nuk guxojnë të ndalen
09.10.2025 14:59
Puna e kontrollit të fluturimeve nuk guxon dhe nuk mund të ndalet në asnjë rrethanë...

Puna e kontrollit të fluturimeve nuk guxon dhe nuk mund të ndalet në asnjë rrethanë, për shkak të rrezikut që do të shkaktonte për sigurinë e të gjithë qytetarëve, reagoi sot ekipi menaxhues i M-NAV-it në lidhje me grevën e paralajmëruar dhe kërcënimet për “mbylljen e qiellit” më 20 dhe 24 tetor. Nga M-NAV theksojnë se si institucion që është pjesë e infrastrukturës kritike, roli i tyre është mbrojtja e drejtpërdrejtë e jetës dhe sigurisë së pasagjerëve, ekuipazhit dhe gjithë trafikut ajror mbi territorin e vendit.
“Menaxhmenti e njeh të drejtën e organizatave sindikale për të organizuar grevë si pjesë e përpjekjes për përmirësimin e të drejtave të punëtorëve. Megjithatë, ata theksojnë se çdo grevë në një institucion të tillë të sigurisë duhet të organizohet, në mënyrë që të jetë i angazhuar numër i mjaftueshëm kontrollorësh të fluturimit dhe punonjësish të tjerë. Asnjë aktivitet i sindikatave apo i çfarëdo subjekti tjetër nuk guxon të çojë në rrezikimin e jetëve ose të infrastrukturës.”, thuhet në reagim.
M-NAV-i kundërshton ashpër, siç thotë, njoftimet sensacionaliste dhe të pasakta që po përhapen nga një pjesë e udhëheqjes së sindikatës profesionale. Institucioni njoftoi se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për funksionim të pandërprerë dhe të sigurt të trafikut ajror dhe nuk do të lejojë aktivitete që mund të rrezikojnë pasagjerët ose funksionimin e sistemit. Përndryshe, kontrollorët e fluturimit kanë paralajmëruar se hapësira ajrore e Maqedonisë do të mbyllet plotësisht për trafikun ajror më 20 dhe 24 tetor, për shkak të grevës. Nga Sindikata Profesionale e Kontrollorëve të Fluturimit thonë se vendimin për grevë e kanë aktivizuar, sepse menaxhmenti nuk i ka përmbushur premtimet e mëparshme dhe se gjendja në ndërmarrje është jashtëzakonisht shqetësuese.
BELINDA KOKA ADEMI
