Zgjedhjet lokale 2025, VMRO-DPMNE mbajti tubim në Karposh
Karvani zgjedhor i udhëhequr nga VMRO-DPMNE...

Karvani zgjedhor i udhëhequr nga VMRO-DPMNE mbrëmë prezantoi kandidatët për kryetarë të komunës së Karposhit dhe të Qytetit të Shkupit, Sotir Lukrovski, Orce Gjorgjievski dhe listat e këshilltarëve të tyre në këto dy komuna.
Gjorgjievski para banorëve të Kaproshit u zotua se bashkërisht me pushtetin qendror dhe kryetarët e komunave të tjera, do të punojë fuqishëm për t’i zhvilluar lagjet urbane.
Do të realizoj projekte kyçe infrastrukturore për të pasur një qytet të pastër dhe të gjelbër, modern, dinjitoz me transport modern urban, një kryeqytet i cili do t’u përngjajë metropoleve më të mëdha evropiane, pa pasur deponi dhe mbeturina nëpër lagje dhe komunikacion të mbingarkuar.
Premtoi se për katër vjet do të arrijë të rindërtojë sistemin e rrënuar të deritanishëm, ndërsa kjo është e mundur me rrethimin masovik të numrit 9 të VMRO-DPMNE-së më 19 tetor.
“E di se Karposhi gjatë viteve të fundit është komunë e braktisur, por unë jam këtu për t’i ndryshuar gjërat bashkërisht me Sotirin dhe me mbështetjen e kryetarit të Qeverisë që komunat asnjëherë nuk e kanë parë. Besoj se Karposhi më në fund do të shkëlqejë, njëjtë siç do të shkëlqejë edhe qyteti ynë pas këtyre zgjedhjeve. Ju lus për mbështetje të sinqertë dhe që punën ta kryejmë që në rrethin e parë.”, - deklaroi kandidati për kryetar në Qytetin e Shkupit nga VMRO-DPMNE, Orce Gjorgjievski.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se bashkërisht me qytetarët do të arrijë të rikthejë shpresën dhe optimizmin në Kaporsh, Qytetin e Shkupit dhe në shumë komuna tjera, duke mbështetur projektet për zhvillim më të madh të komunave.
Nga Karposhi Mickoski tha se pas përfundimit të zgjedhjeve lokale do të vijojë periudha e përgjegjësisë dhe drejtësisë duke i shpallur luftë të ashpër krimit dhe korrupsionit në vend.
“Dëshiroj të paralajmëroj luftë të ashpër kundër korrupsionit dhe çdo njëri që do të bëjë opstrukcione ose që do të vështirësojë, do të thotë se është aleat i krimit dhe ne do të ballafaqohemi me atë dhe me shtetin e thellë të ndërthurur me kriminelë dhe politikanë të caktuar. Këtu nuk flas për anarki dhe sjellje hakmarrëse, këtë nuk do ta shihni nga unë, por po flas për vendosjen e rendit dhe goditjen e ashpër kundër krimit të organizuar.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Karvani zgjedhor i VMRO-DPMNE-së në krye me Mickoskin, mbrëmë vazhdoi edhe në komunën e Butelit, Shuto Orizarës dhe Sopishtës, ku ata i ftuan qytetarët të votojnë opsionin e tyre politik. Mickoski kritikoi kundërshtarët politikë, duke thënë se gjyqësori dhe prokuroria janë bastionet e fundit në mbrojtje të qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së, duke paralajmëruar reforma rrënjësore në këtë fushë. (Rexhep Qamili, TVM2)
