Botë

Marrëveshje historike Izrael – Hamas, fillon festa e armëpushimit dhe lirimit të pengjeve

09.10.2025 15:15

Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje për fazën e parë të planit të paqes së propozuar nga Trampi...

Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje për fazën e parë të planit të paqes së propozuar nga Trampi, lirimi i të gjithë pengjeve dhe armëpushim në Gazë. Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, konfirmoi lajmin përmes rrjeteve sociale, duke njoftuar se gjatë fundjavës do të udhëtojë drejt rajonit.
 
“Jam shumë krenar të njoftoj që Izraeli dhe Hamasi kanë miratuar fazën e parë të planit tonë të paqes. Kjo do të thotë që të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt, dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të dakorduar, si hapat e parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përjetshme.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Armëpushimi në Gazë hyri në fuqi, ndërsa pritet që të gjitha pengjet, përfshirë edhe trupat e viktimave, të kthehen te familjet e tyre. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, e përshëndeti marrëveshjen, duke e quajtur një ditë të madhe për Izraelin.
 
“Me miratimin e fazës së parë të planit, të gjithë pengjet tona do të kthehen në shtëpi. Kjo është një sukses diplomatik dhe një fitore kombëtare dhe morale për Shtetin e Izraelit.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Hamasi konfirmoi marrëveshjen, por theksoi se lista përfundimtare e të burgosurve që Izraeli planifikon të lirojë në këmbim nuk është publikuar ende. Ndërkohë edhe presidenti i autoritetit palestinez, Mahmud Abas, ka përshëndetur njoftimin për marrëveshjen midis Izraelit dhe Hamasit në Gazë. Ne Tel Aviv, në sheshin e qytetit, kanë filluar festimet për lirimin e familjarëve të tyre të marrë peng.
 
“Faleminderit president Tramp. Faleminderit të gjithëve që ndihmuan që djali im dhe të gjithë pengjet të kthehen në shtëpi.”, - tha nëna e një pengu, Einav Zangauker.
 
Me britma gëzimi dhe lumturie, lajmi u prit edhe në Rripin e Gazës.
 
“Ky është një gëzim që duhet të regjistrohet në histori, dita që kemi pritur, një ditë lehtësimi.”, - tha palestinezi i zhvendosur, Ala Abd Rabo.
 
“Lutemi te Zoti që këtë herë të jetë serioze dhe që të ketë armëpushim të përhershëm dhe përfundim të luftës. Kemi vuajtur shumë, dy vite luftë, tmerr, gjenocid, shtypje, uri dhe padrejtësi. Shpresojmë që të gjitha palët të jenë serioze në qëndrimet e tyre.”, - tha palestinezja e zhvendosur nga Gaza, Umm Fadi Shunnar.
 
Reagime për këtë përparim në negociata erdhën edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Kryeministri britanik, Keir Starmer, e quajti këtë një moment të thellë lehtësimi që do të ndjehet në mbarë botën.
 
"Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë këto hapa të menjëhershëm vendimtarë dhe fazat e ardhshme të bisedimeve për të siguruar zbatimin e plotë të planit të paqes.",  - u shpreh kryeministri britanik, Keir Stramer.
 
“Dy vitet e fundit kanë qenë të mbushura me ditë të errëta,  sot shohim një rreze drite. Bota ka një arsye të vërtetë për shpresë.”, - deklaroi kryeministri i Australisë, Antoni Albanese.
 
“Ekziston mundësia që pengjet të lirohen këtë javë dhe që ushtria izraelite më pas të tërhiqet nga Rripi i Gazës.”, - theksoi kancelari i Gjermanisë, Fridrih Merz.
 
"Kina shpreson të arrijë një armëpushim të përhershëm dhe gjithëpërfshirës në Gazë sa më shpejt të jetë e mundur, të lehtësojë në mënyrë efektive krizën humanitare dhe të lehtësojë tensionet rajonale.”, - u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun.
 
“Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm përpara drejt de-përshkallëzimit të situatës dhe realizimit të zgjidhjes me dy shtete.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i Kabinetit të Japonisë, Joshimasa Hajashi.
 
Nga OKB-ja, sekretari i përgjithshëm Antonio Guterres bëri thirrje që të gjitha palët të respektojnë marrëveshjen dhe ta ndalojnë okupimin. Ai theksoi nevojën për një proces politik të besueshëm që çon drejt paqes së qëndrueshme. Sipas tij, zgjidhja me dy shtete mbetet rruga e vetme drejt sigurisë për të dy popujt. Me gjithë marrëveshjen dhe shpresat për paqe, situata në terren mbetet e tensionuar. Forcat izraelite bombarduan edhe sot disa pjesë në Gazë, ndërsa veriu i enklavës vazhdon të jetë zonë aktive luftarake. Autoritetet izraelite paralajmërojnë banorët të mos kthehen ende, duke nënvizuar se situata në terren është ende e brishtë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU