Maqedoni
MPB dhe Prokuroria, vazhdon hetimi në shtëpitë e të moshuarve
09.10.2025 15:50
Kallëzime të reja që ngrenë dyshime për raste të tjera të abuzimeve me të moshuarit në shtëpi të tjera për të moshuar...

Kallëzime të reja që ngrenë dyshime për raste të tjera të abuzimeve me të moshuarit në shtëpi të tjera për të moshuar, kanë ardhur nga qytetarët pas zbardhjes së rasteve të dhunës në shtëpitë e të moshuarve “Aktiv” dhe “Arija”. Ata kërkojnë të hetohet situata edhe në shtëpi të tjera për të moshuar, të gjitha kallëzimet bëjnë fjalë për institucione jashtë territorit të Shkupit, thonë nga Prokuroria Publike.
“Prokuroria Publike është duke proceduar me verifikimin e informacioneve dhe nëse sigurohen fakte për vepra penale të kryera, do të veprohet sipas kompetencave.”, - thanë nga Prokuroria Themelore Publike.
Nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale informojnë se në bazë të situatës së vërtetuar gjatë mbikëqyrjes së inspektuar është përgatitur procesverbal nga inspektorët për mbrojtje sociale, i njëjti është dorëzuar tek prokurori pranë Prokurorisë Themelore Publike, që është institucion përgjegjës për hetimin e të dyja rasteve.
“Vazhdojnë kontrolle të ashpra në të gjitha shtëpitë e tjera të pleqve në tërë territorin e vendit, në lidhje me plotësimin e normativave dhe standardeve të zbatimit të punës, për të siguruar jetesë të dinjitetshme për të moshuarit.”, - thanë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Vazhdon ekspertiza për gjendjen shëndetësore të të moshuarve që kanë qenë të akomoduar në këto shtëpi, të cilat tashmë janë mbyllur, si dhe ekspertiza për gjendjen e objekteve ku kanë qenë të vendosur. Me koordinim të organeve kompetente shtetërore për të moshuarit është siguruar akomodim i përshtatshëm. Disa janë kthyer pranë familjeve të tyre, një pjesë e tyre janë vendosur në shtëpitë publike për të moshuarit, ndërsa atyre të cilëve u është nevojitur ndihmë mjekësore është siguruar mjekim në klinikat në Shkup.
ARLINDA BAFTIU
