Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, LSDM prezanton kandidatin në Prilep
09.10.2025 16:11
Lidhja Social Demokrate ka prezantuar kandidatin për kryetar të Komunës së Prilepit...

Lidhja Social Demokrate ka prezantuar kandidatin për kryetar të Komunës së Prilepit, Petra Lukaroska, dhe listën e këshilltarëve. Në tubimin me qytetarët, Lukaroska prezantoi vizionin e saj për zhvillimin dhe përparimin e Prilepit. Ndër projektet kryesore që shpalosi janë ndërtimi i dy platformave për parkim me 100 vende të reja parkimi, projekti “Toptash Skyline” si zonë urbane për rekreacion dhe pushim, tre shtigje të reja për biçikleta, si dhe rinovimi i shtëpisë malore “Derven”. Ajo gjithashtu paralajmëroi rikthimin e sigurisë në çdo lagje dhe rrugë, përmirësimin e arsimit me kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit, si dhe mbështetje për kulturën, traditën dhe sportin, me theks të veçantë në rikthimin e imazhit të Prilepit si qyteti më futbollistik në Maqedoni. Ajo para të pranishmëve u shpreh se funksionin e kryetares e kupton si punë në terren, jo punë në zyrë. Ajo akuzoi se VMRO-DPMNE e ka shkatërruar Prilepin dhe se tani është koha për ndryshime, mirëqenie dhe zhvillim.
“Panele fotovoltaike në të gjitha objektet komunale, rikonstruksionin e Çarshisë së Vjetër, ndërtimin e dy rrethrrotullimeve pranë stacionit të autobusëve, rregullimin e ‘kanalit të Dabnicës’, përmbajtje të reja në kompleksin sportiv-rekreativ pranë liqenit artificial dhe ndërtimin e parkimit me asfaltimin e rrugës rreth varrezave të reja të qytetit.”, - deklaroi kandidatja e LSDM-së për kryetare në komunën e Prilepit, Petra Lukaroska.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, para qytetarëve të Prilepit tha se VMRO-DPMNE nën petkun e patriotizmit të rremë, sollën një ekonomi të dobësuar dhe një shtet të përçarë. Akuzoi për dështimet në bujqësi. Në fjalimin e tij, Filipçe theksoi se dallimet mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së asnjëherë nuk kanë qenë më të dukshme.
“Nën petkun e patriotizmit të rrejshëm sollën ekonomi të dobët, shtet të partizuar, paga që stagnojnë, çmime që po rriten. Mickoski nuk ka as nder e as dashuri për vendin dhe qytetarët. Për ata ekzistojnë vetëm kalkulime dhe manipulime, ambicie personale dhe marrëveshje personale. Ata flasin për popullin, por popullin nuk e dëgjojnë dhe kjo është dëshmia më e madhe për patriotizmin e rrejshëm.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
LSDM mbajti tubim me qytetarët edhe në komunën e Krivogashtanit. Kryetari i LSDM-së,Venko Filipçe, në fjalimin e tij theksoi se zhvillimi i Krivogashtanit mund të vazhdojë vetëm me Igor Karaviloskin dhe me LSDM-në.
FLORIJE KAMBERI
