Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, VLEN-i mbajti tubim në Bogovinë

09.10.2025 16:24

Abazi iu drejtua banorëve të Komunës së Bogovinës duke ua kërkuar votën e tyre...

Kandidati për kryetar të Komunës së Bogovinës nga radhët e Koalicionit VLEN, Feti Abazi, iu drejtua banorëve të kësaj komune duke ua kërkuar votën e tyre. Ai premtoi se nëse merr mandatin e kryetarit, Bogovina do t’i kthehet punës, t’i kthehet misionit të shërbimit ndaj qytetarit. Abazi i ftoi të gjithë të rinjtë, profesionistët, bujqit, bizneset dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që jetojnë me nder dhe me djersën e ballit, që masovikisht të përkrahin platformën e Koalicionit VLEN dhe të bëhen pjesë e suksesit të komunës në mandatin e ardhshëm. Abazi u zotua se do ta nisë mandatin e tij me mbi 4 milionë euro investime, të miratuara nga qeveria, që sapo ta marrë mandatin, priten të investohen në këtë komunë, duke nisur nga ujësjellësi, rrugët, objektet shkollore, sallat e sportit e shumë projekte të tjera. Sipas Abazit, janë parashikuar të investohen mbi 20 milionë euro në të gjitha vendbanimet. Këto investime do t’i japin fund njëherë e përgjithmonë çështjeve bazike, si ujit për pije, do ta zhvillojnë turizmin, por edhe do t’i japë përkrahje rinisë dhe sportit, arsimit dhe kulturës, grave dhe mërgatës, shtoi Abazi. 
 
“Teksa ne propozojmë projekte konkrete për çdo fshat veç e veç, kampi tjetër mundohet t’i bindë votuesit se asgjë nuk do të ndryshojë. Pra, ata përpiqen që qytetarët, më 19 tetor, t’i mbajnë në shtëpi dhe t’i nxjerrin në votime vetëm militantët partiakë. Dhe, Ju, besoj se e dini se pse, në mungesë të projekteve ata duan që të mos dalin në votime dhe t’i lënë rahat edhe 4 vite tjera.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të Bogovinës, Feti Abazi.
 
Banorëve të Bogovinës iu drejtua edhe njëri ndër liderët e Koalicionit VLEN, Arben Fetai, duke thënë se VLEN-i në mandatin e kaluar bëri mjaftueshëm për qytetarët shqiptarë. Ai përmendi investimin e Koalicionit VLEN prej 82 milionë në 15 komuna me shumicë shqiptare nga shuma prej gjithsej 290 milionë. Fetai tha se gjatë mandatit të VLEN-it, u rritën pensionet, rrogat e policëve, arsimtarëve dhe personelit mjekësor. Fetai njëherësh tha se kanë paraparë të investojnë 74 milionë euro në pjesën e Pollogut. Ai theksoi se veç më po bëhet përgatitja e ndërtimit të klinikës së re në Tetovë.
 
“2.300 punësime, 700 avancime. Ne kur hymë në institucione, i gjetëm shqiptarët nëpër zyre, nëpër bodrume atje, pa asnjë adresë politike që ishte kujdesur për ta, për 23 vite me radhë, në pozitat më të ulëta të mundshme, dhe çfarë bëmë ne? Menjëherë dhamë lista për avancime të shqiptarëve, të cilët e kanë edhe përvojën, edhe kualifikimin për të udhëhequr me institucione, këtë e kemi bërë në çdo resor.”, - theksoi Arben Fetahu nga VLEN.
 
Edhe liderët tjerë të këtij koalicioni, Bilall Kasami dhe Zeqirja Ibrahimi, iu bënë thirrje qytetarëve që më 19 tetor ta votojnë kandidatin për kryetar, Feti Abazi, dhe listën e këshilltarëve komunalë në Bogovinë. 
 
FITORE DEMOLLI