Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, VMRO-DPMNE mbajti tubim në Kisella Vodë të Shkupit
10.10.2025 13:33
VMRO-DPMNE mbrëmë prezantoi kandidaten për kryetare të komunës së Kisella Vodës...

Karvani zgjedhor i udhëhequr nga VMRO-DPMNE mbrëmë prezantoi kandidaten për kryetare të komunës së Kisella Vodës, Beti Stamenkovska Trajkovska; kandidatin për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski dhe listat e këshilltarëve të tyre në këto dy komuna. Stamenkovska Trajkovska u përbetua para banorëve se do të vazhdojë ndryshimet e filluara dhe punën e paraardhësit të saj Gjorgjievskin, se do të dyfishojë investimet, do ta shndërrojë Kisella Vodën në një komunë të gjelbër dhe të pastër, do të vazhdojë me ndërtimin dhe modernizimin e komunës, pa harruar të investojë në arsimin, në zhvillimin e sportit, mbështetjen e pensionistëve dhe ngjarjeve tradicionale kulturore.
"Ndryshimet janë të dukshme dhe të gjithë i ndiejmë, sepse gjatë katër viteve të fundit në Kisella Vodë punohej për popullin, e jo për interesat personale. Kisella Voda po bëhet një komunë ku banorët jetojnë mirë, jo vetëm në zonat urbane, por në çdo lagje dhe në çdo shtëpi. U bë shumë gjatë kësaj periudhe, por gjithmonë mundet edhe më shumë. Ne mund të bëjmë më shumë, ne dimë si dhe jemi të vendosur të vazhdojmë.", - deklaroi kandidatja për kryetare në Komunën Kisella Vodë nga VMRO-DPMNE, Beti Stamenkovska.
Kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ua bëri me dije banorëve të Kisella Vodës se dallimi mes tyre dhe kundërshtarëve politikë qëndron te fakti se ata po luftojnë për karrierat e tyre, për t’i zënë karriget e pushtetit dhe për ta mbrojtur korrupsionin, ndërsa VMRO-DPMNE lufton për t’ua përmirësuar jetën e çdonjërit me projekte konkrete. Mickoski kritikoi LSDM-në se ka mbetur e pa reformuar dhe se i ka mbushur radhët e saj me kuadro të korruptuara dhe se fushatën e tyre të zezë kundër VMRO-DPMNE-së e udhëheq lideri në hije nga Strumica.
"Ata po luftojnë për shtëpinë e tyre, për komoditetin në të cilën kanë gëzuar për dekada për t'i mbajtur. Po luftojnë për mbrojtje nga korrupsioni, për mbrojtje të mafias, për mbrojtje të Artanit, Zeçeviqit, Kovaçevskit, Mariçiqit, Spasovskit, Nikollovskit, Bekteshit. Po luftojnë për të kthyer kohën e marrëveshjeve, tenderëve, bizneseve dhe tërbimit. Më mirë do të ishte sikur të thoshin: "Po luftojmë për jetën tonë.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
VMRO-DPMNE në krye me Mickoskin, mbrëmë vazhdoi edhe në vendbanimet Zelenikovë, Ilinden dhe në Qendër të Shkupit, ku ata zhvilluan takime me qytetarët dhe mbajtën tubime, ku njëherë u ftuan pa mëdyshje të votojnë opsionin e tyre politik. Mickoski tha se gjatë kësaj periudhe janë siguruar rreth gjysmë miliardë euro për mbështetjen e kompanive dhe të komunave.
REXHEP QAMILI
