Maqedoni

Dita botërore e shëndetit mendor, Nuhiji: Rritet numri i pacientëve me depresion

10.10.2025 14:23

Në vend rritet numri i pacientëve me sëmundjen e depresionit....

Në vend rritet numri i pacientëve me sëmundjen e depresionit. Në ditën botërore të shëndetit mendor, ekspertët e kësaj fushe apelojnë qytetarët që të kërkojnë ndihmë mjekësore në rast të simptomave të para, sepse kujdesi për mendjen është një hap i domosdoshëm drejt një jete më të shëndetshme dhe se kërkimi i ndihmës është shenjë force, jo dobësie.
 
“Sëmundjet psikike janë në rritje, jetesa dinamike, stresi, rrjetet sociale, gjithçka ndikon në shtimin e simptomave edhe në rritjen e numrit të pacientëve me sëmundje psikike. Çrregullimi më i shpeshtë mendor si në të gjithë botën, edhe tek ne në Maqedoni është depresioni. Depresioni është një gjendje shqetësimi, ku niveli I disponimit është shumë i ulët. Mungon vullneti, mungon motivimi, edhe është faktori i cili pengon më së shumti në përditshmëri edhe i bën këta individë të paaftë për jetesë. Përveç simptomave që i shfaq individi, gjithashtu duhet të bëjë disa teste psikologjike dhe disa shkalla për ta verifikuar dhe për ta diagnostikuar.”, - theksoi psikologia, Behije Nuhiji. 
 
OBSh-ja ka përcaktuar 10 tetorin si ditën ndërkombëtare të shëndetit mendor, si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor dhe përpjekjet e mobilizuara në mbështetje të shëndetit mendor në mbarë botën.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI