Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, VLEN-i mbajti tubim në Haraçinë
10.10.2025 14:34
Koalicioni VLEN ka mbajtur tubim në Haraçinë, ku kërkoi votën për kandidatin për kryetar komune...

Koalicioni VLEN ka mbajtur tubim në Haraçinë, ku kërkoi votën për kandidatin për kryetar komune, Daut Beqiri, dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunalë. Duke shpalosur platformën e tij, Beqiri theksoi se pjesë e programit të tij janë uji i pijshëm, kanalizimi dhe asfaltimi i pjesës së rrugëve që janë të paasfaltuara. Po ashtu Beqiri theksoi se shëndetësia është ndër prioritetet kryesore të tij, investime në zhvillimin sa më modern të arsimit, inkuadrim sa më i madh i mërgatës në aktivitetet e komunës, duke u krijuar mundësi për investim në vendlindje. Ai premtoi edhe mbështetje për bizneset lokale për hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe ndërtimin e një zone ekonomike. Beqiri premtoi edhe mbështetje dhe subvencionim të bujqve, si dhe mbështetje për zhvillimin e portit, përfshi edhe ndërtimin e stadiumit për klubin futbollistik dhe salla multifunksionale. Beqiri premtoi edhe ndërtimin e një qendre rinore dhe kulturore.
“Unë mendoj se ka përfunduar koha kur duhet të flasim për kushte elementare për jetë. Andaj ju garantoj se në katër vitet e ardhshme do të punoj që Komuna e Haraçinës të shndërrohet në një qytezë e barabartë me komunat tjera të kryeqytetit. Nuk mund të lejojmë që tetë kilometra nga kryeqendra, komuna jonë të llogaritet si një geto dhe fole e së keqes. Në djepin e Haraçinës janë rritur djemtë dhe vajzat më të ngritura të shoqërisë sonë.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të Haraçinës, Daut Beqiri.
Votën e haraçinasve për Daut Beqirin dhe listën e kandidatëve për këshilltarë të koalicionit VLEN e kërkoi edhe njëri nga liderët e këtij koalicioni, njëherësh edhe kandidat për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti. Ai theksoi se nga qeverisja aktuale për çdo vit Haraçina merr nga dy deri në tre milionë euro për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
“Ta lësh kalanë e pamposhtur të Haraçinës pa ujë e kanalizim, pa shkollë e pa ndriçim, pa decentralizim, me një komunë me 300 mijë euro buxhet në vit, që nuk mund t’i sigurojë as rrogat e punëtorëve, jo, qeveria VLEN pas 30 viteve garanton një decentralizim të fuqishëm, komuna të fuqishme, komuna shtet në shtet, komuna që do t’i zgjedhin problemet jetike të qytetarëve. Daut Beqiri nuk është vet, Daut Beqirit i qëndron qyteti i Shkupit, Daut Beqirit i qëndrojnë ministritë.”, - theksoi Izet Mexhiti nga VLEN.
Sipas Mexhitit, të tjerët vetëm e kanë quajtur kala të pamposhtur, por e kanë lënë Haraçinën pa kushte elementare, por, siç tha ai, qeveria VLEN do ta mbështesë këtë komunë që edhe Haraçina të ndjehet si pjesë e kryeqendrës, si pjesë e Shkupit Dardan, me standarde të larta të jetesës. Mexhiti njëherësh nga Haraçina iu kundërpërgjigj deklaratave të kundërkandidatit të tij në Çair, Bujar Osmani, se Mexhiti po u shmanget debateve televizive. Mexhiti tha se është i gatshëm të përballet me Osmanin në debat televiziv në cilindo medium që dëshiron ai, dhe, siç tha Mexhiti, Osmani mund të shkojë në debat i shoqëruar edhe me Ali Ahmetin apo Artan Grubin, për të ballafaquar idetë politike, idetë dhe projektet, vizionin për Çairin dhe komunat tjera.
ERSAN PAJAZITI
