Maqedoni

Afati i fundit për votuesit e sëmurë, KShZ: Regjistrimi mbyllet sonte në mesnatë

10.10.2025 15:00

Afati për paraqitjen e personave që nuk mund të votojnë në qendrat e votimit përfundon në mesnatë....

Afati për paraqitjen e personave të sëmurë ose të pafuqishëm që nuk mund të votojnë në qendrat e votimit dhe që duan të ushtrojnë të drejtën e votës nga shtëpia, përfundon në mesnatë. Këta votues duhet të dorëzojnë dokumentacionin mjekësor përkatës pranë Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, njoftojnë nga KShZ-ja. Ndërkohë, afati për paraqitjen e personave që ndodhen në arrest shtëpiak do të skadojë më 14 tetor.
 
“Sipas orarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, një votues që nuk është në gjendje të votojë në qendrën e votimit, një person i pafuqishëm ose i sëmurë dhe që dëshiron të votojë në zgjedhje, duhet të njoftojë Komisionin Komunal të Zgjedhjeve jo më vonë se shtatë ditë para ditës së caktuar për votim – 10 tetor në mesnatë. Për t’i mundësuar personit të votojë në shtëpi, dokumentacioni i duhur mjekësor duhet të dorëzohet në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve.”, thuhet në njoftimin e KShZ-së.
 
Të gjithë këta qytetarë do të votojnë më 18 tetor, një ditë përpara ditës së zgjedhjeve, me asistimin e bordeve të veçanta zgjedhore që do të kryejnë votimin në shtëpi, në burgje, në azile pleqsh dhe në vendbanimet e të paraburgosurve.
 
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në Listën e Votuesve për zgjedhjet lokale të këtij viti janë regjistruar gjithsej 1.832.415 votues. Prej tyre, 1.717.803 janë në ekstraktet e rregullta të listës. Një numër prej 112.000 votuesish figurojnë në listën e posaçme për qytetarët që punojnë ose banojnë përkohësisht jashtë vendit. Ndërkohë, 2.162 janë të burgosur ose në paraburgim dhe 450 ndodhen në azile për të moshuar.
 
FARIJE DAUTI BAKIU