Zgjedhjet lokale 2025, LSDM-ja prezanton kandidatin në Kavadar
Lidhja Social Demokrate...

Lidhja Social Demokrate ka prezantuar kandidatin për kryetar të komunës së Kavadarit, Viktor Velevski, dhe listën e Këshilltarëve.
Velevski nga tribuna në Kavadar kërkoi besimin e qytetarëve me mesazhin se beteja për Kavadarin është betejë për një qytet evropian dhe për një të ardhme me dinjitet, të çliruar nga korrupsioni dhe interesat e mëdha biznesore.
Ndër projektet e paralajmëruara janë: unazë e gjelbër rreth qytetit, gazifikim për ngrohje më të lirë dhe ajër më të pastër, ndërtimi i një impianti modern për pastrimin e ujërave për mbrojtjen e lumit Luda Mara, ulja e faturave komunale, lehtësime për çiftet e reja me përjashtim nga taksat komunale, ndërtimi e një qendre biznesi dhe shtëpie pleqsh, parkim dhe transport publik më të lirë dhe më cilësor, çerdhe falas për familjet me të ardhura të ulëta, subvencione për pajisje mbrojtëse për bujqit.
Ai theksoi se nuk do të ketë tërheqje dhe as kompromis kur bëhet fjalë për të ardhmen e qytetit dhe të gjeneratave të reja.
“Menjëherë pas marrjes së detyrës të pushtetit lokal, së bashku me këtë ekip pas meje do të vendosim një bursë agrare, me qëllim që t'ia lehtësojmë bujqve tanë, të cilët e prodhon me mund produktin e tij, që ai atë ta plasojë në mënyrë të favorshme, ndërsa të ketë përfitime për vete dhe familjen e tij. Kjo është mënyra se si ta ruajmë zemrën e vreshtarisë në Maqedoni dhe të japim një shtytje për prodhim nga gjeneratat e ardhshme.”, - deklaroi kandidati i LSDM-së për Kavadarin, Viktor Velevski.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në tribunën qytetare në Kavadar theksoi se qytetarët po e ndiejnë se standardi i jetesës po bie çdo ditë, pagat qëndrojnë në vend, çmimet rriten, ndërsa pushteti flet për “suksese”, duke u imponuar njerëzve vazhdimisht shpenzime të reja. Akuzoi se Qeveria flet për suksese, ndërsa ka lënë pas dore dhe dëmtuar vreshtarët e kësaj ane.
“Sot kemi një ‘sukses’ të ri. Imagjinoni, qeveria ka vendosur t’i tatimojë dërgesat nga jashtë, ato deri në 20 euro. Ajo që njerëzit mund ta blinin lirë në internet, tashmë nuk do të jetë e lirë. Në një shtet ku 40% e ekonomisë është në të zezë, ku populli zhvishet përmes taksave për të cilat nuk merr shërbime të duhura, tani po futet një taksë e re.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
LSDM-ja mbajti tubim edhe në komunën e Negotinës, ku prezantoi kandidatin për kryetar të komunës, Petar Mantev. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
