Botë

Gazë, ushtria izraelite filloi tërheqjen, OKB-ja paraqet planin për reagimin humanitar

10.10.2025 15:28

Gjatë natës dhe mëngjesin e sotëm, ushtria izraelite filloi tërheqjen e trupave të saj nga Rripi i Gazës...

Gjatë natës dhe mëngjesin e sotëm, ushtria izraelite filloi tërheqjen e trupave të saj nga Rripi i Gazës në vijat e dakorduara për vendosje, si pjesë e marrëveshjes me Hamasin. Ushtria izraelite pritet të përfundojë tërheqjen deri sonte, brenda 24 orëve nga ratifikimi zyrtar i marrëveshjes me Hamasin. Ndërsa pas tërheqjes së ushtrisë izraelite, Hamasi pritet të lirojë të gjithë pengjet e gjalla dhe të vdekura brenda 72 orëve, pasi të mbledhë informacion mbi çdo peng të mbajtur nga fraksionet e ndryshme palestineze. Netanjahu hodhi poshtë idenë se marrëveshja aktuale është e ngjashme me përpjekjet e mëparshme për të siguruar lirimin e pengjeve.
 
"Do të doja të sqaroja në mënyrën më të qartë - kushdo që thotë se kjo marrëveshje për pengjet ishte tashmë në tryezë, thjesht nuk thotë të vërtetën.", - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Pavarësisht hyrjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës,  Izraeli vazhdon sulmet e tij ajrore, tokësore dhe detare në shumicën e lagjeve dhe qyteteve në Rrip. Mbrëmë vonë, avionët izraelitë bombarduan një ndërtesë shumëkatëshe në lagjen Al-Thalathini në qendër të qytetit të Gazës, duke vrarë pesë civilë dhe duke plagosur të tjerë dhe duke lënë shumë njerëz të hezitonin të besonin në paqe. Dhe, ndërsa disa tashmë po mendojnë për rindërtimin e vendit, të tjerë janë më skeptikë. Abdul Hamid Masad u dëbua me familjen e tij tetë herë brenda Rripit të Gazës gjatë dy viteve të fundit. Ai nuk e beson ende lajmin e mirë.
 
“Ata flisnin për një armëpushim shumë herë më parë. Por, luftimet gjithmonë fillonin përsëri.”, - tha banori i Gazës, Abdul Hamid Masad.
 
Sipas raportimeve, palestinezët e zhvendosur nga lufta po fillojnë të kthehen në shtëpitë e tyre. Pamjet tregojnë ecjen përgjatë rrugës Al-Rashid drejt qytetit të Gazës nga Nuseirat në Rripin qendror të Gazës. Për herë të parë pas javësh, njerëzit kanë hyrë në zonat “Sheikh Radëan”, “Al-Karama” dhe “Beach Camp”, vetëm për të gjetur blloqe të tëra banesash të rrafshuara, qindra shtëpi të shkatërruara dhe pjesën më të madhe të infrastrukturës së zonës të zhdukur. Rreth 700.000 persona të zhvendosur nga qyteti i Gazës dhe veriu tani presin me ankth që tërheqja të përfundojë, në mënyrë që të mund të kthehen në atë që ka mbetur nga shtëpitë e tyre.
 
"Ne jemi një popull gjigantësh. Nuk ka askush më të fortë se ne, në Gazë.", - tha një banor në Gazë.  
 
Ndërkaq ka filluar ofrimi i ndihmave për kthimin e jetës në Gazë. OKB-ja ka paraqitur një plan të detajuar 60-ditor për reagimin humanitar në Gazë, një paketë masash që përfshin sigurimin e ushqimit për 2.1 milionë njerëz, rikthimin në funksion të sistemit shëndetësor të dëmtuar, furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizime për 1.4 milionë banorë, si dhe një fushatë të gjerë strehimi dimëror.
 
“Ka pasur vuajtje të paimagjinueshme në Gazë, dhjetëra mijëra të vrarë, përfshirë mbi 18.000 fëmijë, që do të thotë një fëmijë i vrarë mesatarisht çdo orë për dy vjet. Kemi një plan 60-ditor për të sjellë atë ndihmë, për të shpëtuar jetë në një shkallë shumë, shumë të madhe. Ne kemi luftuar dhe mposhtur zinë e bukës më parë dhe do ta bëjmë përsëri këtë herë.”, - theksoi nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe koordinatori i Ndihmës Emergjente, Tom Fletçer. 
 
Edhe Gjermania do të ofrojë 29 milionë euro ndihmë të menjëhershme humanitare për Gazën, paralajmëroi vetë kancelari gjerman, Fridrih Merz.
 
ARLINDA BAFTIU