Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Rashiq, nënkryetar nga pakica serbe

10.10.2025 15:35

Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë...

Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, pas dështimit të nëntë propozimeve të Listës Serbe dhe kalimit në zgjedhjen e nënkryetarit përmes procedurës së shortit.

Me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, ai u bë njëri nga pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.

Përveç votave nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë joserbe, ai siguroi edhe votat e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan, ndërsa Lista Serbe votoi kundër.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli Kuvendin e Kosovës të konstituuar, pasi Nenad Rashiq u zgjodh nënkryetar i Kuvendit nga pakica serbe.

Ai e deklaroi gjithashtu të mbyllur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

“Marrë parasysh që asnjëri prej kandidatëve nuk i mori votat e nevojshme për t'u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit, ku tetë prej tyre nuk morën votat e mjaftueshme, ndërsa dy të tjerë refuzuan, kam konstatuar se Kuvendi nuk kishte mundësi tjetër për të vazhduar tutje, sepse ishte ezauruar pika e katërt e rendit të ditës së seancës konstituive. Meqenëse nuk kishte mundësi tjetër objektive për të proceduar më tej dhe duke marrë parasysh që kryesia kishte kuorumin e mjaftueshëm për të vazhduar punimet, pesë nga gjashtë anëtarët ishin zgjedhur, kam konstatuar se seanca konstituive është mbyllur dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të vazhdojë punën, ashtu siç parashihet në Kushtetutë.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

Zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit i ka dhënë fund ngërçit institucional dhe ka mundësuar vazhdimin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren.

Ky zhvillim shënon një moment kyç për funksionimin normal të institucioneve legjislative dhe garantimin e përfaqësimit të komuniteteve në organet drejtuese të Kuvendit.

Kjo nënkupton se tani është hapur rruga edhe për formimin e qeverisë së re të Kosovës, shumë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke i dhënë mundësi institucioneve të fillojnë proceset e nevojshme për qeverisje stabile. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)